Studiuesit norvegjezë zbulojnë përse AstraZeneca shkakton mpiksje gjaku

schedule15:55 - 19 Mars, 2021

schedule 15:55 - 19 Mars, 2021

Me regjistrimin e disa episodeve të mpiksjes së gjakut, të paktën 20 vende të Evropës e pezulluan përdorimin e vaksinës së prodhuar nga AstraZeneca për koronavirusin. Megjithatë, disa prej tyre e kanë rinisur vaksinimin pasi EMA vendosi që nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar rreth AstraZeneca-s.

Tashmë, sipas raportimeve, një grup ekspertësh norvegjezë pretendon të ketë gjetur mekanizmin që fshihet pas simptomave që nxitën alarmin mbi vaksinën në fjalë. Sipas ekspertëve, vaksina shkakton një reagim të fortë imunitar që çon në një kombinim të rrallë të mpiksjes së gjakut dhe numrit të ulët të trombociteve.

Tre persona që punonin në spitalet e Norvegjisë u shtruan në qendrën spitalore Rikshospitalet për shkak të mpiksjes së rëndë të gjakut që patën pas vaksinimit. Ata patën mpiksje gjaku në vende të pazakonta në gjithë trupin, si në stomak apo në tru.

Për më tepër, ata patën edhe hemorragji e numër të ulët të trombociteve. Një nga punonjësit vdiq të hënën, menjëherë pasi u shtrua në spital.

“Unë nuk shoh ndonjë arsye tjetër përveç se është vaksina që i shkakton”, tha kryemjeku dhe profesori në spitalin Rikshospitalet Pål Andre Holme për gazetën Verdens Gang.

“Ne kishim një teori se ky është një reagim i fortë imunitar që ka shumë të ngjarë të vinte pas vaksinës dhe tani kemi arritur në përfundimin se me të vërtetë kështu është.”

Për më tepër, u identifikuan antitrupa specifikë kundër trombociteve që mund të japin një panoramë të tillë.

“Ne e bëjmë vaksinën për të pasur një përgjigje imune ndaj asaj nga e cila do të mbrohemi. Pastaj ju zhvilloni, ndër të tjera, antitrupa. Disa antitrupa më pas mund të reagojnë në mënyrë që të aktivizojnë trombocitet, si në këto raste, dhe të shkaktojnë një mpiksje gjaku, ”shpjegoi Holme.

Gjetjet nga ekuipazhi norvegjez kundërshtojnë përfundimet e Agjencisë Evropiane të Barnave dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilat e shpallën të sigurt vaksinën e AstraZeneca-s dhe theksuan se përfitimet e saj tejkalojnë rreziqet. sb/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!