Një studim i ri izrealito-amerikan ka bërë me dije se vaksina Pfizer / Biontech kundër koronavirusi është shumë efektive tek adoleshentët. Të dhënat e këtij studimi janë të parat që tregojnë efektivitetin e një vaksine Covid-19 në një vend të tërë dhe i pari që trajton periudhën e fundit në të cilën mutacioni Delta është mbizotërues.
Studiuesit nga Instituti i Kërkimeve Clalit dhe Universiteti i Harvardit , analizuan të dhënat për 94,354 adoleshentë të vaksinuar të moshës 12 deri në 18 vjeç midis qershorit dhe shtatorit 2021, një periudhë ku vala e infeksioneve, nga mutacioni Delta ishte mbizotëruese në Izrael.
Të dhënat e tyre, studiuesit i krahasuan me një numër të barabartë adoleshentësh të pavaksinuar. Mediat e huaja bëjnë me dije se në kuadër të të dhënave është zbuluar se tek adoleshentët e vaksinuar plotësisht , shtatë deri në 21 ditë pas dozës së dytë, rreziku i sëmundjes simptomatike Covid-19 u reduktua me 93% krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre të pavaksinuar, ndërsa rreziku i infektimit u reduktua me 90%.
Ndërkohë në një hark kohor prej 14 ose 20 ditësh pas dozës së parë , rreziku i simptomave Covid-19 ishte 57% më i ulët te personat e vaksinuar, ndërsa rreziku i infeksionit ishte 59% më i ulët sesa tek adoleshentët e pavaksinuar.
Nuk kishte të dhëna të mjaftueshme për të vlerësuar uljen e rrezikut në pacientët e vaksinuar me sëmundje të rënda, shtrimin në spital dhe vdekje, të cilat janë të rralla në mesin e adoleshentëve./abcnews.al