Studimi: Shkrirja ekstreme e akullnajave në Grenlandë, rrit rrezikun e përmbytjeve në gjithë botën

schedule20:40 - 4 Nëntor, 2021

schedule 20:40 - 4 Nëntor, 2021

Ngrohja globale ka bërë që ngjarjet ekstreme të shkrirjes së akullnajave në Grenlandë të bëhen më të shpeshta dhe më intensive gjatë 40 viteve të fundit sipas hulumtimeve të reja, duke rritur kështu nivelin e deteve dhe rrezikun e përmbytjeve në mbarë botën.

Vetëm gjatë dekadës së fundit, 3.5 trilion ton akull janë shkrirë nga sipërfaqja e ishullit dhe kanë rrjedhur në oqean. Kaq akull i shkrirë mjafton për të mbuluar të gjithë Mbretërinë e Bashkuar me rreth 15 metra ujë të shkrirë, ose të mbulojë të gjithë qytetin e Nju Jorkut. Studimi i ri, i udhëhequr nga Universiteti Leeds, është i pari që përdor të dhënat satelitore për të zbuluar këtë fenomen të njohur si rrjedhja e akullit nga hapësira.

Gjetjet e publikuara në Nature Communications, zbulojnë se rrjedhja e ujërave të shkrirë në Grenlandë është rritur me 21% gjatë katër dekadave të fundit dhe është bërë 60% më e çrregullt nga një verë në tjetrën.

Hulumtimi tregon se gjatë dekadës së fundit (2011-2020), rritja e rrjedhjes së ujërave të shkrirë nga Grenlanda e ngriti nivelin global të detit me një centimetër. Një e treta e këtij totali u prodhua në vetëm dy vera të nxehta (2012 dhe 2019), kur moti ekstrem çoi në nivele rekord të shkrirjes së akullnajave që nuk ishte parë në 40 vitet e fundit.

Nivelet e ngritura të detit të shkaktuara nga shkrirja e akullnajave rrisin rrezikun e përmbytjeve për komunitetet bregdetare në mbarë botën dhe prishin ekosistemet detare. Sakaq gjithashtu mund të ndikojnë në kushtet e motit rreth planetit.

Ndryshimet lidhen me ngjarjet ekstreme të motit, të tilla si valët e të nxehtit, të cilat janë bërë më të shpeshta dhe tani janë një shkak kryesor i shkrirjes së akullnajave nga Grenlanda. Studimi tregon se satelitët janë në gjendje të japin vlerësime të menjëhershme të shkrirjes së akullnajave gjatë verës. abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!