Më shumë se 232,000 persona mund të jenë infektuar në valën e parë të koronavirusit në Kinë. Nëse kjo rezulton të jetë e vërtetë, atëherë shifrat mund të jenë 4 herë më të larta krahasuar me ato zyrtaret të publikuar nga autoritetet e vendit.
Deri më 22 shkurt, Kina ka raportuar më shumë se 55, 000 të infektuar, por sipas një kërkimi të bërë nga akademikët në Universitetin e Hong Kong, shifrat e vërteta mund të kenë qenë shumë herë më të larta.
Vendi aziatik tashmë ka raportuar më shumë se 83,000 raste të konfirmuara. Ndërsa, në të gjithë botën prej Covid-19 kanë humbur jetën të paktën 184,265 persona, ndërsa në të gjithë botën rezultojnë më shumë se 2.6 milion të infektuar.
Komisioni kombëtar i shëndetësisë në Kinë ka publikuar shtatë versione të një përkufizimi të rastit për Covid-19 midis 15 janarit dhe 3 marsit, dhe studimi zbuloi se këto ndryshime kishin një “efekt thelbësor” në sa raste të infektuarish regjistroheshin.
Lajmi vjen në një kohë kur ambasadori i Kinës në SHBA bëri thirrje për “një rishikim serioz të themeleve” të marrëdhënieve mes dy vendeve, ndërsa kritikoi gjithashtu politikanët amerikanë për injorimin e shkencëtarëve dhe bërjen e akuzave “të pabaza”.
Për realizimin e studimit në Hong Kong janë analizuar të dhëna të mbledhura nga misioni i Organizatës Botërore të Shëndetit në Wuhan deri në 20 shkurt. /abcnews.al/