Studimi: Ndotja mund të ndikojë në gjininë e foshnjës tuaj

schedule14:37 - 11 Dhjetor, 2021

schedule 14:37 - 11 Dhjetor, 2021

Sipas një studimi të ri, ekspozimi ndaj ndotjes mund të ketë ndryshuar raportin e djemve dhe vajzave në SHBA dhe Suedi. Studimi nxori në pah se ndotja nga zhiva, kromi dhe alumini lidhet me lindjen e më shumë foshnjave meshkuj, ndërsa ndotja për shkak të plumbit rriti numrin e foshnjave femra.

Një ekip në Universitetin e Çikagos dhe Institutin Karolinska, Stokholm, studioi gjysmën e popullsisë së SHBA-së (150 milionë) dhe të gjithë popullsisë suedeze (9 milionë), duke zbuluar mbi 100 faktorë të mundshëm që ndikonin në gjininë e fëmijëve.

Përveç ndotjes, disa faktorë të tjerë përfshinin nivelet e stresit të prindërve, varfërinë, krimin dhe papunësinë  madje edhe temperaturat. Studimi, i cili është botuar në revistën PLOS Computational Biology, ekzaminoi popullsinë e Amerikës së Veriut për më shumë se tetë vite dhe për suedezët mbi 30 vite,  kështu që të dhënat janë jashtëzakonisht gjithëpërfshirëse, shkruan abcnews.al

Pra, si mund të ndikojë ndotja në gjininë e një fëmije?

Në koncept, raporti i gjinisë së foshnjave duhet të jetë gjysma djem dhe gjysma tjetër vajza. Por shkencëtarët janë të vetëdijshëm se faktorët hormonalë mund të ndikojnë në rrethana të ndryshme gjatë shtatzënisë – që do të thotë se raportet janë të ndryshme. Megjithatë, ky hulumtim i ri sugjeron se ndotësit e ajrit dhe ujit gjithashtu ndikojnë.

Ndotësit më të mëdhenj përfshijnë hekurin, plumbin, merkurin, monoksidin e karbonit, aluminin dhe bifenilët e poliklorinuar (PCB). Ndotësit e ujit përfshinin kromin dhe arsenikun. Ky është hetimi i parë sistematik i ndotësve të shumtë kimikë dhe faktorëve të tjerë mjedisorë duke përdorur grupe të dhënash të mëdha nga dy kontinente, sipas studiuesve.

“Sado shqetësues që mund të jetë ky lajm, këto janë ende vetëm hipoteza, jo fakte,” tha Gareth Nye, një pedagog në Shkollën Mjekësore Chester, Universiteti i Chester në MB, i cili shqyrtoi gjetjet.

“Dhe ne duhet të kemi parasysh, se në të gjithë botën lindin miliona fëmijë të shëndetshëm, pavarësisht mjedisit.”

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!