Covid-19 mund të infektojë qelizat prodhuese të insulinës duke i vënë disa pacientë më në rrezik për t’u prekur nga diabeti. Mjekët janë gjithnjë e më të shqetësuar për numrin në rritje të pacientëve që janë prekur nga diabeti ose gjatë infektimit me koronavirus, ose pasi janë shëruar, raporton The Guardian
Ka disa teori për këtë fenomen. Njëra është se virusi infekton qelizat pankreatike nëpërmjet të njëjtit receptor ACE2 që gjendet në sipërfaqen e qelizave të mushkërive dhe ndërhyn në aftësinë e tyre për të prodhuar insulinë – një hormon që ndihmon trupin të rregullojë nivelet e glukozës në gjak.
Gjithashtu, një reagim i tepërt i antitrupave ndaj virusit mund të dëmtojë aksidentalisht qelizat e pankreasit, ose inflamacioni diku tjetër në trup mund t’i bëjë indet më të dobëta ndaj insulinës.
Ende nuk është e qartë nëse ndryshimet e shkaktuara nga Covid janë afatgjata. Sipas një tjetër studimi, të kryer nga Universiteti “Weill Cornell Medicine” në Nju Jork, COVID-19 sulmon gjithashtu qelizat beta që prodhojnë insulinë dhe i bën ato më pak të afta të prodhojnë këtë hormon që rregullon nivelet e glukozës në organizëm.
Dr Lucy Chambers, tha: “Njerëzit me diabet janë prekur në mënyrë disproporcionale nga Covid-19, dhe shumë njerëz kanë humbur jetën si pasojë e diabetit. Diabeti është një faktor rreziku për personat e infektuar me Covid dhe ka dëshmi të reja që tregojnë se Covid-19 mund të jetë duke shkaktuar raste të reja të diabetit./abcnews.al