Studentja e Universitetit të Tiranës, Bora Mema, e ftuar në studion e ABC News tha se Kryeministri Rama bëri deklaratën të hënën që të fitojë kohë duke shpresuar që studentët do të tërhiqen nga protesta. Sipas saj duhet kthyer mbrapsht ligji i arsimit të lartë.
“Prej katër pesë vitesh Kryeministrit i janë bërë peticione, kërkesa, dhe ai vendosi të bënte veshin shurdh. Javën që kaloi i etikoi si ngelës studentët protestues. Ai po tenton të fitojë kohë duke shpresuar që do të tërhiqen. Duke menduar që me fjalimin e tij patetik studentët të fillojnë të bëjnë gjueti shtrigash me dekanët dhe pedagogët. Duhet të kemi të qartë që pa u kthyer mbrapsht ligji për arsimin e lartë këto kërkesa do duhet të mbesin të çala”, tha studentja.
Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë pas afatit që studentët i kanë dhënë qeverisë. Përfaqësia e vetme sipas Borës është në shesh.
“Do ta vendosim bashkarish aty se çfarë do bëhet pas orës 16:00. Askush nuk ka zgjedhur të përfaqësojë askënd. Përfaqësia e vetme ndodhet në shesh. Ne jemi mjaftueshëm të fortë. Le të tentojnë më kot ta përçajnë. Ne sot nuk po luftojmë vetëm për veten tonë, por edhe për brezat që do vijnë”, theksoi ajo./abcnews.al