Mbi 70 maturantë dhe studentë të ekselencës udhëtuan të shtunën drejt Stambollit duke qenë ata të parët që inauguruan linjën shqiptare “Air Albania”.
Të rinjtë pas një udhëtim komod janë pritur nga përfaqësues të kompanisë “Turkish Airline”. Guidat profesionale shoqëruan të rinjtë shqiptarë drejt zonës së vjetër të këtij qyteti duke i njohur me historikun e tij dhe vlerat që mbart në shekuj. Një vizitë turistike me anije në ngushticën e Bosforit ishte një nga destinacionet e cila ngjalli më shumë interes ndër të rinjtë, të cilët jo vetëm shijuan pamjen e mrekullueshme mbi detin Marmara por panë nga afër edhe urat e famshme që lidhin dy kontinentet, atë të Europës me Azinë.
Lundrimi për disa orë mbi detin Marmara përmbylli kështu edhe vizitën një ditore të të rinjve shqiptarë me linjën e parë ajrore shqiptare “Air Albania”. Pasi avioni me flamurin kombëtar preku sërish tokën shqiptare në mbrëmje, maturantët dhe studentët e ekselencës e cilësuan këtë udhëtim një eksperiencë të jashtëzakonshme./abcnews.al