Studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit, të shkencave, Mjekësisë dhe Akademisë së Arteve kanë bojkotuar mësimin dhe protestuan për dy orë paraditen e të mërkurës para Ministrisë së Arsimit. Protesta nisi nga studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit, të cilën marshuan nga Fakulteti i tyre drejt Ministrisë, e rrugës iu bashkuan edhe studentë të Universiteteve të tjera publike.Prej dy ditësh ata protestojnë duke kërkuar heqjen e pagesës për kreditet e provimeve të mbartura, si dhe shtyrjen e afatit të pagesës vjetore të shkollës dhe pagesën e saj me këste.
Në formë revolte studentët hodhën drejt godinës së ministrisë stilolapsa, letra dhe vezë.
Ftesës së ministres Nikolla për një takim në ambientet e Ministrisë së Arsimit, studentët iu përgjigjën negativisht duke e ftuar t’i takonte aty ku po protestonin. Në këto kushte ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla iu përgjigj përmes një deklarate për mediat kërkesave të tyre, duke theksuar se vendimi që i shqetëson hyn në fuqi vitin e ardhshëm dhe janë universitetet që vendosin.
Lindita Nikolla, ministre e Arsimit dhe Sportit: “Në vitin 2013 -2017 kemi një rritje tarifash vetëm në 2014. Tarifa minimale ishte 14430 shkoi në 20 mijë ka impaktuar 4500 studentë, pra një rritje prej 5570 lekë. Tarifa mesatare nga 20600 shkoi 21600 dhe tarifa maksimale zero rritje. Pra saç e gjetëm aq është edhe sot. Pra kjo rritje e tarifash nuk ka prekur të gjitha programet e studimit. Ka prekur shkencat e natyrës dhe gjuhët e huaja. Efekti financiar është 75 milionë lekë”.
Por studentët nuk u bindën nga këto deklarata. Ata vijuan protestën edhe për disa minuta të tjera dhe paralajmëruan se do bojkotojnë mësimin edhe të enjten e do të protestojnë sërish para ministrisë. Protesta e studentëve solli bllokimin e lëvizjes në rrugë si për mjetet private ashtu edhe ato të transportit publik, ndërsa policia siguroi mbarëvajtjen e saj. /abcnews.al