Semestri dimëror sapo ka filluar në universitetet dhe shkollat e larta të Gjermanisë, por dhjetra mijëra studentë dhe doktorantë janë ende duke kërkuar vend ku të banojnë për një periudhë të gjatë kohe. Shumë prej tyre kanë parë se nuk kanë shance të gjejnë një dhomë në konviktet e studentëve ose nuk kanë para të paguajnë një dhomë në një shtëpi ku banojnë dhe të tjerë.
Sa e vështirë është situata faktikisht kuptohet nga fakti që Shoqata studentore e qytetit të Gëtingenit ka marrë me qera një hotel ku studentët mund të qëndrojnë javët e para të semestrit duke mos paguar shumë para. Më në jug, në Mynih ku studentëve u duhet të paguajnë mesatarisht 720 euro qera në muaj, është hapur një shesh kampimi, që ofron çmime të ulta për studentët që duan të qëndrojnë atje.
Në fillim të vitit Instituti Pestel, bëri të ditur se në Gjermani mungojnë rreth 700 mijë banesa, sidomos banesa pagesa e të cilave mund të përballohet. Qeratë janë rritur shumë sidomos në qytetet e mëdha universitare.
Mungesa e banesave të përballueshme për studentët në qytetet e mëdha ka dekada të tëra që është flagrante, ankohet Matthias Anbuhl, kryetari i kryesisë së Shoqatës gjermane të studentëve (DSW), në një deklaratë bërë më 16 tetor. DSW administron aktualisht 1700 konvikte në gjithë Gjermaninë, me vende banimi për rreth 196 mijë studentë. Më shumë se 32 mijë studentë ndodhen në listat e pritjes, për të marrë një banesë me qera prej DSW.
Couchsurfing dhe rrugë të gjata
Merlin është ulur me laptop në prehër në një divan të vjetër në Campusin e Universitetit të Lirë të Berlinit. “Unë mund të jap 500 euro në muaj për qeranë, por shpesh qeradhënësit nuk kthejnë as përgjigje”, thotë 22 vjeçarja, që sapo ka filluar semestrin e parë dhe vazhdon herë të qëndrojë tek prindërit në Kleinmachnow, në periferi të Berlinit, herë tek një teze, banesa e të cilës është më afër universitetit.
Në një karrige të rehatshme aty pranë, është ulur studentja e veterinarisë, Talina, që është një vit më e re në moshë. Ajo tregon se në muajin gusht qeradhënësi i la vetëm një muaj kohë për tu larguar nga banesa dhe për t’i lënë vendin një familjeje. Studentja tjetër, Elli, po ashtu 21 vjeçare, jeton tek banesa që dikush tjetër e ka marrë me qera, dhe deri në fund të vitit duhet të gjejë një vend tjetër për të banuar.
Dhe gjendja nuk pritet të përmirësohet: Kostot mesatare për një dhomë banimi në Berlin janë dyfishuar dekadën e kaluar, duke arritur në 650 euro në muaj, 100 euro më shumë se vitin e kaluar, siç thotë Instituti Moses- Mendelssohn dhe platforma e banimit wg-gesucht.de. Ndihmat për banimin që studentët marrin nga subvencionet shtetërore sipas ligjit për të ndihmuar arsimin (BAföG) është maksimalisht 360 euro.
Prandaj më shumë se 200 mijë studentë aplikojnë për të gjetur një vend në konvikt, thotë Jana Judisch, zëdhënëse e Shoqatës së studentëve në Berlin. Shoqata administron 9000 shtretër dhe një listë pritjeje me 4900 kërkesa. Aktualisht listat e pritjes janë tre semestra. “Shumë studentë shkojnë të banojnë në periferi ose madje në Brandenburg dhe marrin parasysh rrugën e gjatë që duhet të bëjnë për të shkuar në universitet,” thotë Judisch.
30 vjeçarja Carla është duke marrë diellin e vjeshtës dhe duke dredhur një cigare. Ajo studion gjuhë të huaja në Universitetin e Lirë të Berlinit dhe është mes atyre që kanë fat sa i përket banimit. Disa vjet më parë, kur qeratë ishin shumë më të ulta se sot, ajo pati gjetur një banesë që e ndau me të tjerë. Por gjërat sot kanë ndryshuar. “Ne patëm një banor që ia la dhomën e tij dikujt, dhe këtij iu desh të flinte tek ne në divanin e kuzhinës kur i zoti i dhomës u kthye, sepse nuk arriti të gjente ku të shkonte për të banuar,” tregon ajo.
Studentët ndërkombëtarë e kanë edhe më të vështirë
Kërkimi i banesës është një nga problemet e shpeshta për zgjidhjen e të cilës studentët shkojnë tek AStA, thotë Thomas Schmidt, referent për çështjet sociale në komisionin e përgjithshëm të studentëve, (AStA). “Disa studentë arrijnë që të marrin një dhomë me qera duke patur në dorë një garanci të lëshuar nga prindërit, por studentët e huaj shpesh nuk e kanë një mundësi të tillë, prandaj e kanë edhe më të vështirë për të gjetur banesë,” tregon ai për Deutsche Wellen, nga zyra që ka në Universitetin e Lirë të Berlinit.
Krah zbatimit të kërkesave ambicioze politike, për të ulur qeratë e banimit për gjithë banorët e Berlinit, ai do të donte që Senati i Berlinit të ndihmojë më shumë financiarisht, sidomos për ndërtimin dhe renovimin e konvikteve të studentëve.
Në 12 deri 15 vitet e fundit, numri i studentëve në Gjermani është rritur nga një million në 2,9 milionë. Por kjo nuk do të thotë se investitorët investuan më shumë në infrastrukturën sociale, të nevojshme për të përballuar këtë numër të madh studentësh, deklaron Stefan Grob, zëvendëssekretar i Përgjithshëm i DSW: “Ne shqetësohemi sepse jemi duke shkuar ndrejt një shoqërie me dy klasa, ku të pasurit lejohen të studiojnë atje ku duan, sepse janë në gjendje të paguajnë banesën, kurse të tjerët jo. Kjo do të ishte katastrofike, sepse paraja do të vendoste ku do studionin studentët, jo inteligjenca dhe aftësitë e tyre.”
Qeveria kërkon të investojë në hapësirat e banimit
DSW kërkon që të rritet pagesa mujore që jepet si ndihmë e BAföG, por sqaron njëkohësisht se vetëm 5 deri 11 përqind e studentëve kanë të drejtë të marrin ndihmë nga BAföG. Për të qetësuar disi situatën, qeveria gjermane ka bërë të ditur se do të japë këtë vit 500 milionë euro për një pjesë të programit të ndihmës “banesa për të rinjtë”. Me këto para kërkohet të ngrihen më shumë hapësira banimi për studentët, të rinjtë që mësojnë profesione dhe forcat e policisë që janë duke u arsimuar.
Sipas ministrisë gjermane për banimin, urbanistikën dhe ndërtimin kjo sasi parash do të jepet edhe në vitet 2024 dhe 2025. DSW e përshëndet këtë vendim, por për mijëra studentët që kërkojnë një çati mbi kokë për semestrin e dimrit, kjo ndihmë vjen shumë vonë.
“Gjatë kërkimit të banesës studentët konkurojnë me grupet e tjera sociale si të moshuarit, familjet e reja, njerëzit me të ardhura të pakta, refugjatët, e kështu me radhë. Këtu nuk kemi të bëjmë me një problem të shkollave të larta, por me një problem social,” thotë Grob. /DW