Studentët e Drejtësisë nesër mësim tek gjimnazi “Petro Nini Luarasi”

schedule18:23 - 29 Janar, 2019

schedule 18:23 - 29 Janar, 2019

Mjediset e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë në orët e pasdites do t’i vihen në dispozicon Fakultetit të Drejtësisë. Të mërkurën në orën 14.00 studentët do të nisnin mësimin në ambjentet e shkollës së mesme. Konfirmimi vjen për ABC Neës nga dekani i Fakultetit të Drejtësisë Artan Hoxha.

Një grup studentësh vijojnë të qëndrojnë të ngujuar në Fakultet, duke kërkuar anulimin e ligjit për Arsimin e Lartë. Por studentët e tjerë, që kërkojnë t’i rikthehen mësimit, thonë se janë të gatshëm që leksionet dhe seminaret t’i nisin në çdo mjedis të mundshëm.

“Kudo, mjafton të zhvillojmë mësim se kemi humbur shumë volum”.

Hyrja për në auditoret e fakultetit të drejtësisë në Tiranë vazhdon të mbahet e mbyllur. Ligji për arsimin e lartë ngarkon me përgjegjësi Rektorin e Universitetit të Tiranës, si titullar i tij, për të zgjidhur situatën dhe garantuar  paprekshmërinë e institucionit. Statuti i Universitetit të Tiranës sugjeron ndërhyrjen e policisë.

Neni 34 pika GJ e tij thotë; “Rektori autorizon në rast nevoje ndërhyrjen e forcave të rendit në mjediset universitare”.

Neni 39 pika SH;  “Administratori autorizon në rast nevoje ndërhyrjen e forcave te rendit në mjediset universitare”. 

Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni takoi dy grupet e studentëve në Fakultetin e Drejtësisë, por ndonëse kanë kaluar katër ditë ende nuk ka dalë me një vendim.

Ne tentuam të merrnim një përgjigje prej Rektorit Koni, por ai refuzoi të bisedojë për këtë çështje.

Ndërkohë drejtori i Komunikimit ne Rektorat tha se po punohet për gjetjen e një zgjidhje, ndërkohë që përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes së policisë në Fakultetin e Drejtësisë.

ABC News tentoi të merrte një përgjigje dhe nga Administratori i Universitetit të Tiranës, por dhe Ai refuzoi të fliste. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!