Zëvendës ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici thotë se me strategjinë kombëtare të agroturizimit, synohet që mesatarisht në një subjekt të punojnë 10 fermerë, nga 4 që është aktualisht.
Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Civici u shpreh se zhvillimi i agroturizmit nuk mund ta frenojë emigrimin, por ka ndikim dhe mund të ndihmojë në punësimin e banorëve të zonave ky ku sektor mund të zhvillohet.
“Frenimi është term i madh shumë. Emigrimi është sjellje normale. E kanë përjetuar shumë shtete para nesh, e kemi përjetuar ne. Zonat rurale janë viktima e parë e kësaj sjelllje, agroturizmi ndihmon dhe zhvillon zonën në shërbim të njerëzve që jetojnë në të. Por nuk mjafton, duhet jeta brenda, eksperienca. Ata fermerë që jetojnë aty të jenë të sigurtë që pagesa do iu vijë, të trajnohen, të prodhojnë. Agroturizmi kupton direkt tregun se çfarë kërkon, orientimin e atyre se çfarë do të prodhosh. Kërkesat vijnë nga tregu, jo nga dëshira. Sipas strategjisë, ne kemi një mesatare prej 4 fermash që punojnë në një agroturizëm, duhet të shkojë mesatarisht në 10 ferma. Mesatarja duhet të jetë kjo, duhet punuar të paktën me 10 fermerë. Eksperienca e agroturizmit ndikon në ngadalësimin e largimeve dhe kthimin e emigrantëve. Ka shumë raste, njerëzit janë kthyer dhe kanë bërë agroturizëm.
Patjetër që investimet në infrastrukturë janë të nevojshme, megjithëse janë bërë shumë. Në rastin e agroturizimit, ka disa vende ku ti nëse çon këtë civilizimin total, e humb magjinë e asaj pak aventurës kur ti shkon në këtë lloj subjekti. Duhet të jemi të kujdesshëm që atë lehtësi në akses, të mos i humbë identitetin. Duhet të ruash edhe traditën, edhe identitetin e atij vendi. Lloji i infrastrukturës duhet të përshtatet me territorin”, theksoi ai.
Ndërsa, Kryetari i Këshillit të Agrobiznesit, Agim Rrapaj deklaroi se duhet bërë edhe certifikimi në grup i fermerëve.
“Ne përveç certifikimit individual, duhet t’i kushtojmë rëndësi edhe certifikimit në grup. Duhet të kemi parasysh në shumë subjekte në zona rurale, aktualisht janë të paformalizuar, por kanë asete të tilla që në grup mund të plotësojnë të gjitha kriteret dhe t’i tejkalojnë ato. Ne duhet t’i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe shoqërive të bashkëpunimit në agroturizëm”, nënvizoi Rrapaj./abcnews.al