Strategjia e vetme e Putinit në Ukrainë është vetë-shkatërrimi

schedule12:00 - 29 Qershor, 2022

schedule 12:00 - 29 Qershor, 2022

Nga Aleksandër Motyl “19 Forty Five”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Sa i mundur është skenari i një lufte të gjatë në Ukrainë? Teksa diskutimet mbi një luftë të gjatë ruso-ukrainase po i mbajnë të angazhuar analistët, diktatori rus Vladimir Putin, duke qenë i vërtetë në paaftësinë e tij për t’i rezistuar impulseve të vetë-shkatërrimit, tregoi sërish pse një rezultat i tillë është edhe i pamundur dhe i padëshirueshëm.

Të hënën, një raketë ruse goditi dhe shkatërroi një qendër tregtare në qytetin Kremenchug, në jug të Kievit. Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, mbi 1000 civilë ndodheshin në atë godinë në momentin e shpërthimit. “Është e pamundur qoftë edhe të imagjinohet numri i viktimave”- theksoi ai.

Nëse dikush kishte nevojë për më shumë prova mbi qëllimet dhe sjelljen gjenocidiale të Putinit në Ukrainë, ky akt barbar është me siguri një dëshmi e tillë. Por nëse dikush kishte gjithashtu nevojë për prova të pamundësisë ekstreme të një lufte të gjatë, edhe kjo ishte gjithashtu një dëshmi, raporton abcnews.al.

Putin është shumë i parashikueshëm në veprimet e tij. Sa herë që Perëndimi duket se është i lodhur ose i dëshpëruar për Ukrainën, është e sigurt se udhëheqësi fashist i Rusisë do të përfshihet në një akt të tillë barbarie, që e bën të pamundur qëndrimin indiferent.

Por të mos ishin masakrat në Irpin dhe Bucha, dy qytete në veri të Kievit, që u shkatërruan pa mëshirë nga trupat ruse, Perëndimi mund të mos ishte angazhuar të mbështeste me kaq shumë energji Ukrainën. Dhe po të mos ishte vendimi strategjikisht i gabuar i Putinit për të pushtuar Ukrainën, Perëndimi do të kishte toleruar ndoshta transformimin progresiv të këtij vendi në një shtet vasal të Moskës.

Tani pas masakrës së Kremenchug, asnjë vend që ka respekt për veten dhe që i përket Grupit Ramstein, i përkushtuar për të mbështetur Ukrainën, dhe asnjë anëtar i G-7 që sapo  deklaroi “Ne do vazhdojmë të ofrojmë mbështetje financiare, humanitare, ushtarake dhe diplomatike dhe të qëndrojmë me Ukrainën për aq kohë sa do të duhet”, nuk do të jetë në gjendje të shmangë armatosjen e Ukrainës në shkallën që i nevojitet për të dominuar.

Putini i bën shumë të lehta vendime të tilla, pasi zgjedhja që kanë përpara tyre miqtë e Ukrainës, nuk është më ajo midis luftës së gjatë dhe pranimit të statuskuosë, por midis mbretërimit të barbarizmit apo fitores. Shtetet nuk janë asnjëherë aq të përkushtuara ndaj mirësjelljes njerëzore sa këmbëngulin me fjalë.

Por ka raste, si ky në Ukrainë, kur nuk ka asnjë alternativë tjetër përveç kthimit të zemërimit në veprim. Arsyeja pse ka rëndësi shtimi i dërgesave me armatime të kalibrit rëndë, municionit, furnizimeve të llojeve të tjera dhe ndihmës financiare ndaj Ukrainës, është shumë e thjeshtë.

Aktualisht, Ukraina nuk po humbet, dhe Rusia nuk po fiton. Në fakt, nëse do të vazhdonte statuskuoja, fitorja ose disfata e Rusisë do të ishte e vështirë që të parashikohej. Nga njëra anë, Rusisë po i mbarojnë ushtarët, tanket dhe raketat, dhe mezi është në gjendje të bëjë ndonjë përparim minimal në Donbas, ku artileria dhe fuqia e saj njerëzore janë shumë më të mëdha se sa ato të ukrainasve.

Një Rusi e tillë nuk mund ta fitojë luftën. Nga ana tjetër, Rusia është shumë e madhe për t’u mposhtur me armatimin aktual që ka Ukraina, edhe sepse Putin është tërësisht indiferent ndaj numrit të viktimave që pësojnë trupat e tij në sulmet e tyre frontale të keq-planifikuara kundër pozicioneve ukrainase në lindje dhe jug.

Një Rusi e tillë as nuk mund të humbasë. Duke qenë të barabarta, do të ishte shumë e mundshme një luftë e zgjatur në kohë. Por, falë nxitjes së Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe, dhe falë masakrës më të fundit në Kremenchug, gjërat e tjera nuk janë dhe nuk do të jenë të barabarta.

Armët e rënda që i ka premtuar Perëndimi Ukrainës, duhet të dorëzohen tani, dhe afatet kohore ndoshta do të përshpejtohen. Këto armë – sidomos armët amerikane – duhet ta anojnë ekuilibrin në favor të ukrainasve. Në fund të fundit, me aftësitë e saj aktuale, Ukraina nuk po humbet, por as nuk mund t’i mposhtë dot rusët.

Pasi armët e dërguara të jenë në një numër të konsiderueshëm, është tërësisht e mundur që Ukraina t’i dëbojë rusët nga territoret e pushtuara pas fillimit të luftës më 24 shkurt. Sigurisht, kundërofensiva ukrainase, e cila është planifikuar të nisë diku nga fundi i verës, nuk do të jetë një rrugëdalje nga ky konflikt.

Numri i viktimave nga të dyja palët do të jetë i lartë. Akoma më shumë civilë do të vdesin si pjesë e gjenocidit të presidentit rus. Por ukrainasit ka të ngjarë të dominojnë në vija të përgjithshme, dhe sidomos aty ku ka më shumë rëndësi.

Dhe këtu kam parasysh kryesisht provincat jugore Kherson dhe Zaporizhzhya, të cilat ndodhen ngjitur me Krimenë, dhe që përbëjnë një pjesë integrale të urës së lakmuar tokësore ruse në gadishullin e pushtuar. Edhe me një numër shumë minimal të armëve perëndimore, forcat e armatosura ukrainase, kanë arritur aktualisht  të kapërcejnë dy linja mbrojtëse rreth Khersonit, dhe tashmë ndodhen në hyrje të qytetit.

Nëse do të arrijnë ta çlirojnë qytetin përpara kundërsulmit të përgjithshëm, do të jenë në gjendje të ndërpresin furnizimin me ujë të Krimesë, të shkatërrojnë urën tokësore dhe të jenë brenda rrezes së goditjes së flotës ruse së Detit të Zi, e cila është e ankoruar në portin e Sevastopolit.

Humbja e Kherson-it do të ishte një humbje e madhe strategjike për Rusinë. Dhe vënia nën kontroll e provincave Luhanskut apo edhe Donetsk, vetëm sa do të kënaqte disi nevojën e Putinit për vetë-afirmim si një gllabërues i madh territoresh.

Megjithëse vëmendja më e madhe e Perëndimit është e përqendruar në Donbas, ku janë të larta shanset për një konflikt të gjatë, ngjarjet në jug sugjerojnë të kundërtën. Pra që Ukraina është e gatshme të marrë iniciativën strategjike, nëse dhe kur të marrë në dorë armët që do t’i japin asaj një avantazh të dukshëm. Nëse ndodh kjo gjë, Putini do të fajësojë për humbjen  e tij të turpshme vetëm barbarinë e tij gjenocidale.

Shënim: Aleksandër Motyl, profesor i shkencave politike në Rutgers-Newark University. Ekspert mbi Ukrainën, Rusinë dhe ish-Bashkimin Sovjetik.

/abcnews.al