PS fushatë pa britma/ Gjiknuri: Jo mitingje të zhurmshme dhe sheshe të mbushura plot

schedule14:15 - 7 Prill, 2023

schedule 14:15 - 7 Prill, 2023

TIRANË- Një fushatë dietike. Është kjo strategjia e miratuar nga Kryesia e Partisë Socialiste për 14 majin. Kalendari i aktiviteteve nuk përfshin mitingje të mëdha, as sheshe të mbushura në garën se kush grumbullon më shumë, por takime të vogla me qytetarët për të reklamuar punën e qeverisë.

“Kemi menduar mos bëjmë aktivitete të mëdha masive, nuk duam të bërtasim, duam të tregojmë cfarë pune kemi bërë dhe cfarë dimë të bëjmë, kështu që kemi menduar një strategji tjetër.”

Kryesia e PS miratoi edhe strategjinë e komunikimit e cila fokusohet tek përsëritja e të gjitha punëve që ka bërë qeveria dhe bashkitë në 4 vite, duke i mëshuar fort vendimit të fundit për të rritur të gjitha pagat në shtet.

“Evidentimin kudo të zhvillimeve positive që po ndodhin, pra ne e shohim strategjinë e sigurisë së këtij vendi, kurse pala tjetër ju e dini që nuk ka strategji, ka thjesht vetëm një slogan, që është përmbysje revolucion”

PS do të fokusohet edhe tek kundërshtarët, për të bindur qytetarët se opozita nuk është një alternativë.

“Ata janë vetë të zhvutuar në rubla ruse, kështuqë në këtë rast, shqiptarët janë të qartë dhe meritojmë t’ua përsërisim”

Socialistët hyjnë kështu në fushatën zyrtare elektorale me imazhin e një partie të pashqetësuar e të sigurt në fitore, madje me Edi Ramën që nuk po e vesh ende bluzën me logon e PS-së dhe që ka në plan që ta bëjë vonë turin elektoral.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!