Strasburgu rikthen për gjykim në KPA Besnik Canin

schedule16:32 - 4 Tetor, 2022

schedule 16:32 - 4 Tetor, 2022

Ish-prokurori Besnik Cani i shkarkuar 2 vite më parë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka fituar të drejtën për tu rigjykuar sërish me vendim të gjykatës së Strasburgut.

Gjykata e të drejtave europiane të njeriut në vendimin e bërë publik, argumenton se në rastin e Canit është cenuar e drejta për një proces të rregullt, pasi pjesë e trupit gjykues që vendosi shkarkimin e tij ka qenë Luan Daci.

Gjatë përbaljjeve në KPA, Cani ka kërkuar përjashtimin e Dacit me argumentin se ishte zgjedhur në KPA me dokumente të falsifikuara. Gjykata e Strasburgut deklaron se kërkesa e tij duhej të merrej në shqyrtim, duke vendosur me 6 vota pro dhe 1 kundër rigjykimin, por specifikon se nuk është vendim unifikues. Cani kërkoi rikthim të menjëhershëm në detyrë.

Luan Daci u dënua me 6 muaj burg, dënim që iu konvertua në shërbim prove dhe sipas prokurorisë ai falsifikoi dokumentet për tu bërë pjesë e KPA.

Në shkurt të 2020, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra Besnik Canin, me argumentin se nuk justifikonte pasurinë dhe kishte cënuar besimin e publikut.

Në atë kohë Cani ishte anëtar i këshillit të lartë të prokurorisë dhe pas shkarkimit e dërgoi çështjen në gjykatën europiane të të drejtave të njeriut me pretendimin se Daci nuk mund të zgjidhej anëtar i KPA./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!