Në fjalën e tij hapëse në një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg e përshkruan situatën aktuale si “një moment të rrezikshëm për sigurinë evropiane”, ndërkohë që vijon të shqetësojë pushtimi i mundshëm rus në Ukrainë.
“Rusia ka grumbulluar një forcë pushtuese në kufijtë e Ukrainës; në të njëjtën kohë ka shenja nga Moska se diplomacia duhet të vazhdojë, kjo jep bazë për optimizëm të kujdesshëm,” ka deklaruar ai.
Sekretari i Përgjithshëm paralajmëroi gjithashtu se nuk kishte asnjë shenjë të de-përshkallëzimit në terren, shkruan BBC, përcjell abcnews.al.
“NATO nuk është kërcënim për Rusinë dhe se aleanca ushtarake mbetet e gatshme të bisedojë dhe të gjejë një rrugë diplomatike përpara”, përsëriti ai.
“Ndërsa ne vazhdojmë të punojmë për më të mirën, duhet të jemi të përgatitur edhe për më të keqen. Do të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur të gjithë aleatët”, vazhdoi Stoltenberg.
Ai theksoi se nuk ka parë shenja tërheqjeje nga Rusia. “Deri tani nuk kemi parë ndonjë ulje përshkallëzimi në terren. Përkundrazi, duket se Rusia vazhdon përqendrimin ushtarak.” g.v/abcnews.al