Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se Rusia nuk e dëshiron anëtarësimin e Ballkanit në aleancën atlantike. Ai theksoi se në rastin e Maqedonisë së Veriut, pjesa më e madhe e vendeve anëtarë ishin dakord që në fillim për anëtarësimin.
Të mërkurën, kur Maqedonia nënshkroi në Bruksel protokollin që hap rrugën e anëtarësimit në aleancën veri-atlantike, kreu i kësaj të fundit, Jens Stoltenberg, ka akuzuar Moskën se po mundohet të pengojë aderimin në NATO të vendeve ballkanike. Stoltenberg tha se NATO-ja respekton vendimet e shteteve sovrane për t’ju bashkuar apo jo Aleancës, dhe këtë duhet ta bëj edhe Moska zyrtare.
“Rusia po tenton të përzihet në proceset politike nëpër kombet sovrane. Dhe mendoj se kjo është e gabueshme. NATO-ja respekton, ne kemi raspektuar vendimet e shteteve të pavarura sovrane, pa marrë parasysh nëse ato dëshirojnë apo jo t’i bashkohen NATO-s. Në Shkup pamë se shumica në parlament dhe shumica e partive politike dëshirojnë hyrjen në NATO dhe ne e mirëpresim këtë”, tha kreu i Aleancës.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s ka paralajmëruar se në Dhjetor, në Londër do të mbahet një samit i posaçëm i Aleancës Veriatlantike për të shënuar 70-vjetorin e themelimit. Me këtë rast shefat e shteteve e të qeverive pritet të adresojnë sfidat e sigurisë dhe për të garantuar se NATO do të vazhdojë ta mbajë të sigurt popullsinë e saj prej gati një miliard njerëzish./abcnews.al