Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, porositi Maqedoninë që të zgjidhë sa më parë me Greqinë çështjen e emrit. Gjatë vizitës zyrtare në Shkup, shefi i Aleancës së Atlantikut të Veriut theksoi se Nato i ka dyert e hapura për Maqedoninë.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, përfundoi vizitën e tij dy-ditore në Shkup me një porosi shumë të qartë për aspiratat euroatlantike të Maqedonisë. Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Zoran Zaev, ai tha se nuk do të ketë një plan “B” për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s: “Ka progres të madh në reforma por të jemi realistë. NATO vendimet i sjell me konsensus. Për këtë shkak shpresoj se do të zgjidhni çështjen e emrit dhe e përshëndes momentin e ri në bisedime. NATO nuk mund të zgjidhë emrin dhe të japë propozime. Këtë duhet ta zgjidhni vetë”.
Ndërsa Zaev nënvizoi se ekzekutivi i tij po punon për tejkalimin e problemit me Greqinë, në mënyrë që vendi të anëtarësohet sa më shpejt në NATO dhe BE.
Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë: “Është koha që të mbarojmë procesin e integrimeve, të gjitha vendet e Ballkanit. Ne jemi të përgatitur që ta realizojmë atë qëllim. Aktivisht po punojmë në tejkalimin e problemit që Greqia e ka me emrin kushtetues të Maqedonisë. Gjatë takimeve me sekretarin e përgjithshëm Stoltenberg theksova mbështetjen për arritjen e standardeve dhe kritereve për anëtarësim në NATO”.
Ndërkohë, gjatë qëndrimit në Shkup, Stoltenberg mbajti dhe një fjalim në Kuvend. Ai nënvizoi se dyert e NATO-s mbeten gjithmonë të hapura për Maqedoninë. Kreu i Aleancës ka mirëpritur hapat e ndërmarrë në procesin e reformave dhe miratimin e ligjit për gjuhët. Gjithashtu këshilloi opozitën të rikthehet në Kuvend.
Në Shkup, Stoltenberg u takua me presidentin e Maqedonisë, Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev dhe ministra të ndryshëm të kabinetit të tij, kryeparlamentarin, Talat Xhaferi, drejtues të partisë opozitare VMRO-DPMNE si dhe me kreun e partisë Shqiptare BDI, Ali Ahmeti./abcnews.al