“Stina e rrëzimit të Metës”, socialistët planifikojnë karton të kuq për 9 dekrete

schedule14:11 - 1 Shtator, 2019

schedule 14:11 - 1 Shtator, 2019

Sesioni i ri parlamentar do të nisë nesër për herë të parë pa opozitën trandicionale në sallë, por socialistët përballjen kryesore e kanë me Presidentin e Republikës. Ata duhet të marrin një vendim brenda këtij viti për shkarkimin e tij, por si fillim PS ka planifikuar që në dy seancat e para të shtatorit, të rrëzojë 9 dekrete të Ilir Metës.

Pas 45 ditë pushimesh, parlamenti do të nisë këtë të hënë sesionin e ri parlamentar. Mungesa e opozitës tradicionale në sallë, nuk e ka gjetur mazhorancën pa kundërshtar. Presidenti i Republikës i ktheu Kuvendit 9 ligje për ishqyrtim gjatë gushtit, dhe socialistët, kanë programuar që t’ia rrëzojnë të gjitha, brenda dy javëve të para të shtatorit.

Sipas draft kalendarit që pritet të miratohet përpara seancës plenare nga Konferenca e Kryetarëve, dy seancat e para, ajo e 12 shtatorit dhe ajo e datës 19, do t’i dedikohet tërësisht rrëzimit të akteve të firmosura nga Ilir Meta.

Në 12 shtator është parashikuar të rrëzohet dekreti për rishqyrtimin e ligjit:  “Për rezervat materiale të shtetit”, “Për privatizimin e ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta”, “Për vetëqeverisjen vendore”” dhe ai “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Seanca e 19 shtatorit rezervon disa ligje më të nxehta. Socialistët nuk do ta rishqyrtojnë  “Kodi Penal” sic sugjeron Presidenti, e as ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.

Një kohësisht, pritet që të lihen në fuqi dy ligjet që lejojnë ndërtimin me koncesion të dy akseve rrugore Orikum – Dukat  dhe Milot -Balldren”, pavarësisht shqetësimit presidencial se fatura e tyre rrezikon buxhetin e shtetit.

Nuk pritet reflektim as për ligjin  “Për Akademinë e Shkencave”, dhe socialistët do ta rrëzojnë edhe këtë dekret të Metës.

Siç thotë mazhoranca, këto dekrete të presidentit nuk përmbajnë asnjë argument ligjor, por janë vetëm një zgjatim i axhendës politike të opozitës, që përfshin edhe presidentin.

Por beteja e dekreteve nuk është e vetmja që  do të përballë këtë sezon politik socialistët dhe Presidentin. Deri në 3 tetor, Komisioni Hetimor Parlamentar ose duhet të vulosë shkarkimin e Ilir Metës, ose duhet të kërkojë zgjatjen e afatit hetimor. Gjithçka do të varet nga rekomandimi që pritet të sjellë Komisioni i Venecias. /ABC News Albania 24/7