Ish-Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë seancës në ngarkim të tij për dosjen e “Sterilizimit”, ka kërkuar nga togat e zeza që të inspektojnë vetë nga afër kontratën koncesionare dhe zbatimin e saj, duke pretenduar se një gjë e tillë nuk është bërë nga prokurorët e SPAK, që sipas tij kanë ngritur akuza të pa baza.
“Kontrata përfundon më 8 mars. Ju lutem, nëse keni mundësi dhe ndjesë nëse po e teproj vizitojeni dhe ndiqeni vetë zbatimin, realizimin e asaj kontrate. Bëni një gjë që prokurorët s’e bënë kurrë. Po s’e patë nga afër, është e pamundur ta sjellim realitetin në këtë sallë gjyqi”, tha Beqaj.
Ilir Beqaj, ishte I vetëm në këtë seancë, për shkak se avokatët e tij, munguan. Pas këtij episodi, në këto kushte, Gjykata e Posaçme, vendosi të shty seancën gjyqësore për një datë tjetër.
Beqaj në gjykimin e çështjes penale për aferën e sterilizimit, dyshohet për veprat penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup të strukturuar kriminal”. SPAK dyshon, se janë kryer shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljeshin fitues kompanit e Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.
Për të njëjtën çështje por në një process të ndarë, SPAK kërkon 36 vite e 6 muaj burg për 8 të pandehurit e dosjes “Sterilizimi”. Për ish.zv ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj, dhe biznesmenin që fitoi tenderin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore në shtet, Ilir Rrapaj, SPAK kërkoi dënimin me 10 vite burg për secilin.


