Laçi ka shfrytëzuar pushimin e kampionatit dhe sot ka zhvilluar një ndeshje miqësore kundër Korabit. Kurbinasit kanë triumfuar me rezultatin e pastër 2-0. Skuadra e drejtuar nga Sulejman Starova e pa veten në avantazh pas një autogoli të dibranëve, që devijuan një kros nga këndi. Golin e dytë për Laçin e shënoi sulmuesi brazilian Stenio.
Në kampin bardhezi më së shumti e kanë mendjen te ndeshja e radhës me Tiranën. Tre barazimet radhazi, dy në transfertë me Flamurtarin dhe Luftëtarin, si dhe me Bylisin në shtëpi, kanë bërë që situata në kampin bardhezi të mos jetë më e mira.
Kundër Tiranës në transfertë do synohet të paktën një pikë, ndërkohë trajneri Sulejman Starova nuk do të ketë të gatshëm për këtë takim kapitenin Eglentin Gjoni. Ky i fundit ka pësuar një frakturë në krah dhe do të qëndrojë për dy muaj jashtë fushave të blerta. /abcnews.al