Stenda shqiptare në panairin e Brukselit

schedule15:15 - 25 Nëntor, 2017

schedule 15:15 - 25 Nëntor, 2017

Është prezantuar me një stendë shqiptare edhe vendi ynë edhe në Panairin e Brukselit. Për Kryebashkiakun Erion Veliaj, ky aktivitet promovon më së miri Shqipërinë për të tërhequr vizitorë dhe investitorë të shumtë.

Ndodh për herë të parë që Tirana të bëhet pjesë e një prej panaireve më të mëdha europiane të fundvitit, “ëinter Pret-Christmas Market”.

Për  Kryebashkiakun e  Tiranës kjo mundësi shërben si kartolinë e bukur për kryeqytetin dhe Shqipërinë në sytë e vizitorëve dhe të investitorëve.

Më vjen mirë që falë mbështetjes së kreut të Bashkisë së Brukselit dhe gjithë grupit të sipërmarrësve, si këtu në Belgjikë, si ata në Shqipëri, bëmë të mundur që të kishim një prezencë në atë që është ndoshta panairi më i madh i fetave të fundvitit sot në të gjithë botën. Në këtë rrugë do të ecin më shumë se 2 milionë njerëz. Jam i sigurt që do të keni mundësi të jeni një kartolinë e Tiranës, një kartolinë e Shqipërisë, e Shqipërisë së mirë, e Shqipërisë që ka nevojë të tregojë imazhin e vet të vërtetë, të tregojë se ka kulturë, se ka njerëz të mençur dhe të ditur, të tregojë që di të gatuajë, që ka një histori, vende të bukura, shije dhe estetikë”

Kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se sot shqiptarët kanë një detyrë historike për të treguar vlerat më të mira të vendit tonë dhe shprehu bindjen se marrëdhëniet që do të krijohen në këtë panair mes njerëzve, janë ato që na bëjnë realisht europianë.

 

“Ne shqiptarët sot kemi një detyrë historike për imazhin e vendit tonë dhe për të treguar fytyrën e vërtetë të Shqipërisë, një Shqipëri bujare, artiste dhe një Shqipëri që e do të bukurën, e do të mirën dhe punon fort që t’ia mbërrijë të jetë një anëtare e denjë e familjes evropiane. Procedurat për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Europian marrin kohën e tyre, por besoj se marrëdhëniet mes njerëzve janë marrëdhënie të pazëvendësueshme dhe marrëdhëniet që do të krijohen sot mes njerëzve dhe gjatë gjithë këtij muaji të festës janë ato që na bëjnë realisht europianë”,

Kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philip Closse e cilësoi vendin tonë dhe Tiranën,  si të ftuarit e nderit të këtij edicioni të panairit “Ëinter Pret”.

Më herët, kryebashkiaku Veliaj u prit në zyrën e tij nga homologu i tij,  ku biseduan rreth shtimit të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy qyteteve, si dhe realizimit të projekteve të përbashkëta. Në shenjë mirënjohje dhe vlerësimi për kontributin e dhënë për mbështetjen e shqiptarëve që jetojnë atje, Veliaj i dhuroi homologut të tij belg, Kullën e Sahatit të Tiranës.

Gjatë vizitës në Bruksel, kryebashkiaku Veliaj u takua edhe me komunitetin shqiptar që punon dhe jeton atje, si dhe vendosi një buqetë me lule në  bustin e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Për pesë javë rresht, produktet tipike shqiptare, sikurse janë ato të verave, vaji i ullirit, produktet artizanale, medicinale, si dhe produktet turistike do të promovohen në një nga panairet më të mëdhenj në Europë, që vizitohet çdo vit nga më shumë se 2.000.000 vizitorë nga e gjithë bota. Përgjatë mbrëmjeve, mund të shijohen prodhimet tipike shqiptare, e kombinuar kjo më së miri me performancë artistike nga Grupi i Ansamblit të Tiranës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!