Stefen Kerri pati një tjetër paraqitje të madhe në NBA

schedule20:56 - 7 Janar, 2018

schedule 20:56 - 7 Janar, 2018

Stefën Kërri po tregon një nivel shumë të lartë në basketbollin amerikan, që pas kthimit nga dëmtimi. Lojtari më i mirë i Golden Stejtit shënoi 45 pikë në suksesin ndaj Klipersave.

Njëmbëdhjetë ndeshje jashtë për shkak dëmtimi janë shumë.
Stefën Kërri duket si i lëshuar nga zinxhirët tani që është kthyer në parketet e NBA-së, dhe shpërthimi i tij i madh vazhdoi edhe në Los Anxhelos.
Kampioni në fuqi ndihmoi Golden Stejtin të fitonte bindshëm derbin e Kalifornisë në fushën e Klipersave.
Në një ndeshje që e humbi barazpeshën që pas pjesës së parë, Kërri shënoi 45 pikë në vetëm 29 minuta, kapi 6 topa në tabela, shërbeu 3 asistë dhe vodhi 3 topa.
Mungesa e Kevin Durantit nuk u ndje sërish, siç nuk u ndje në fitoren në fushën e Hjustonit (që gjithashtu nuk kishte Xhejms Hardenin), ndërsa Golden Steti ia doli me shifrat 121-105.
Basketbollisti 29-vjeçar pati 29 pikë që në gjysmën e parë të përballjes, ndërsa nuk u lodh më shumë sesa duhet nga trajneri I tij, Stiv Kerr.

Gjithsesi edhe 29 minuta mjaftuan që ai ta tregonte veten dhe të spjegonte se përse Golden Stejti I jep një rrogë prej 35 milionë dollarësh në vit.
Këto minuta I mjaftuan që të realizonte edhe 8 kosha me vlerë tripikëshe, dhe të jetë pranë më të mirëve të sezonit në këtë element, pavarësisht dëmtimit.
Në katër ndeshjet që kur u kthye në fushë, Kërri ka shënuar mesatarisht 36 pikë për çdo takim, dhe shumëkush e quan si gjuajtësin më të saktë dhe më të madh që NBA ka parë ndonjëherë.
Golden Stejti, ndërkaq, ka 10 fitore radhazi dhe kryeson renditjen e Konferencës Perëndimore me 32 fitore e 8 humbje, duke qenë skuadra më e mirë deri tani në kampionat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!