Stefën Kërri kalon kufirin e 15 000 pikëve në NBA

schedule22:09 - 18 Dhjetor, 2018

schedule 22:09 - 18 Dhjetor, 2018

Stefën Kërri kaloi kufirin e 15 000 pikëve të shënuar në basketbollin amerikan. Ylli i Golden Stejtit vazhdon të shkëlqejë për kampionët. Është ende tepër poshtë, por gjithsesi arriti një gur kilometrik.

Stefën Kërri kaloi shifrën simbolike të 15 000 pikëve të shënuara në sezonin e rregullt të NBA-së, pas fitores së Golden Stejtit ndaj Memfisit. Ylli i kampionëve nuk është se shkëlqeu aq shumë, pasi thjesht shënoi 20 pikë, plus që kapi 7 topa në tabela. Kërri ende nuk mund të matet me realizuesit më të mirë, pasi ai është në vendin e 144-t, pra tepër poshtë në renditjen historikë të basketbollit amerikan. Do të duhet ende shumë kohë që ai të hyjë të paktën ndër 100 më të mirët.

Problemi më i madh i numrit 30 të Golden Stejtit është se ai nuk e nisi karrierën me nivelin e Lebron Xhejmsit apo Kevin Durantit. Pikërisht shoku i tij i skuadrës, Duranti, pati 23 pikë ndaj Memfisit, dhe kaloi një legjendë si Lerri Bërdi, duke u ngjitur në vendin e 33-të të renditjes së shënuesve. Gjithsesi, Kërri mund të lavdërohet për një statistikë tjetër. Ai mban rekordin e tripikëshave të shënuar në një sezon të rregullt, me 402 të tillë, dhe me diferencë të madhe nga rivalët.

Është i pesti në renditjen e shënuesve të tripikëshave për të gjitha kohët në NBA, madje i ka të gjitha mundësitë që për dy vjet të kalojë rekordmenin aktual, Rej Allenin, me gati 3 000 kosha të tillë. Për më tepër, Stefën Kërri mund të mburret se ka fituar tre tituj në NBA, dhe se po lufton për të katërtin, për t’iu afruar legjendave si Majkëll Xhordan, Karim Abdyl Xhabar apo Mexhik Xhonson./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!