Nuk është arritur ende asgjë, por krenaria duhet të jetë e madhe. Shkëndija e Tetovës regjistroi një fitore të bujshme në raundin e dytë të Championsit, duke mundur 1-0 Steauan e Bukureshtit në stadiumin qendror të Shkupit.
Ish-kampionia e Europës nuk përballoi dot skuadrën e shqiptarëve të Maqedonisë duke pranuar disfatën, e duke shpresuar që të përmbysë rezultatin në sfidën e kthimit në fushën e vet.
Shkëndija luftoi fort, edhe pse pati përballë një ekip që cilësohej favorit, dhe suksesi u fiksua në minutën e 65-të kur shënoi afrikani Adamu Ibrahim Alhasan. Steaua e pati më të vështirë në fund, pasi në 79’ u përjashtua me karton të kuq Florin Tënase.
Në rast kualifikimi, kampionia maqedonase do të ketë punë në raundin e tretë me Shelburnin e Irlandës ose Karabakun e Azerbajxhanit. Duke mbetur në Champions, skuadra kampione e Kosovës, Drita, nuk e përballoi dot pengesën e parë.
Ekipi nga Gjilani u mund 2-0 në Danimarkë nga kampionia e atij vendi, FC Kopenhagen. Të dy golat u shënuan nga I njëjti lojtar, Magnus Matson, dhe që të dyja herët me penallti, në minutat 69 e 76.
Besohet se Drita do ta ketë shumë të vështirë në Prishtinë, edhe pse padyshim që do ta provojë. Duke kaluar tek Liga e Konferencës, Ballkani nisi aventurën europiane të këtij sezoni me fitoren 4-2 ndaj Florianës së Maltës në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
Tolaj e Adetunxhi shënuan nga dy herë, ndërsa ndeshja do të mbahet mend sepse pati ndërprerje të energjisë elektrike në fundin e pjesës së parë, por më pas gjithçka vazhdoi normalisht.

