Jon Mersinaj është ai që po merr skenën në Kroaci dhe jo më kot trajneri Edoardo Reja i kishte dërguar një ftesë për ndeshjet miqësore të marsit, që u anuluan.
Qendërmbrojtësi, i cili sezonin e parë si profesionist e ka zhvilluar me Laçin në Superiore, ka spikatur në ndeshjen e fundit që Lokomotiva Zagreb e fitoi me përmbysje kundër Hajduk Split.
Mersinaj është përfshirë në formacionin më të mirë të javës, nga Telesport.hr. Mbrojtësi është në tre lojtarët më të vlerësuar, referuar statistikave të Instatsport. Kjo është hera e tretë që i riu shqiptar përfshihet mes yjeve të javës.
Mersinaj ka dalluar për duelet e fituara, 18 nga 20. Lojtari në fjalë shquhet edhe për lojën me këmbë, pasi ka pasuar saktë 68 herë dhe ka gabuar vetëm 10 herë.
Katër aksione sulmuese të nisura nga këmbët e tij, ndërkohë që regjistroi edhe një asist kundër Hajduk. Mes të tjerave, mbrojtesi ia ka dalë 10 herë të zotërojë topat e diskutueshëm. / abcnews.al