Kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me presion të ri politik, pasi katër ndihmës ministra dhanë dorëheqjen dhe më shumë se 70 deputetë të Partisë Laburiste kërkuan publikisht largimin e tij nga drejtimi i qeverisë dhe partisë.
Gjatë një fjalimi para mbështetësve laburistë në Londër, Starmer u bëri thirrje anëtarëve të partisë dhe votuesve që t’i japin një tjetër mundësi, duke paralajmëruar se një garë për lidershipin do të sillte vetëm kaos politik. Ai premtoi se do të veprojë më me vendosmëri në përballimin e problemeve që po kalon Britania.
Megjithatë, fjalimi i tij nuk arriti të zbusë pakënaqësinë e krijuar pas humbjeve të rënda të Laburistëve në zgjedhjet lokale të javës së kaluar. Starmer pranoi indirekt se kishte qenë tepër i kujdesshëm në trajtimin e sfidave me të cilat është përballur vendi që prej ardhjes së tij në pushtet në vitin 2024.
Katër ndihmësit ministrat që dhanë dorëheqjen deklaruan se nuk besojnë më se Starmer është personi i duhur për ta udhëhequr Partinë Laburiste drejt zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vitin 2029. Ata shpresojnë që largimet të nxisin një garë për drejtimin e partisë, proces që mund të zgjasë për javë apo edhe muaj.


