Kryeministri Keir Starmer ka ndarë një video-mesazh në rrjetet sociale, ku ka konfirmuar se Mbretëria e Bashkuar ende nuk është e përfshirë në sulmet e vazhdueshme SHBA-Izrael ndaj Iranit.
Megjithatë, Starmer konfirmon se SHBA-të tani do të përdorin bazat ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar.
“Partnerët tanë në Gjirin Persik na kanë kërkuar të bëjmë më shumë për t’i mbrojtur ata dhe është detyra ime të mbroj jetët britanike. Ne kemi avionë luftarakë britanikë në ajër si pjesë e operacioneve të koordinuara mbrojtëse të cilat tashmë kanë interceptuar me sukses sulmet iraniane. Por e vetmja mënyrë për të ndaluar kërcënimin është shkatërrimi i raketave në burim – në depot e tyre të magazinimit ose në lëshuesit që përdoren për të qëlluar raketat. SHBA-të kanë kërkuar leje për të përdorur bazat britanike për atë qëllim specifik dhe të kufizuar mbrojtës. Ne kemi marrë vendimin për ta pranuar këtë kërkesë për të parandaluar që Irani të lëshojë raketa në të gjithë rajonin, duke vrarë civilë të pafajshëm, duke vënë në rrezik jetën e britanikëve dhe duke goditur vendet që nuk janë përfshirë”, tha Starmer.


