Kryeministri britanik Keir Starmer ka deklaruar se viti 2026 mund të shënojë “përparim të rëndësishëm” drejt arritjes së paqes në Ukrainë.
Ai tha se tani ka më shumë zhvillime konkrete se kurrë më parë lidhur me gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të ofruar garanci sigurie për vendin e shkatërruar nga lufta.
Në një intervistë për emisionin “Sunday With Laura Kuenssberg”, Starmer paralajmëroi se presidenti rus Vladimir Putin mund ta ndalë përkohësisht pushtimin, por “do të kthehet sërish” nëse nuk vendosen garanci të forta sigurie në rast të një marrëveshjeje paqeje.
Deklaratat vijnë përpara një takimi të planifikuar të “Koalicionit të të Gatshmëve” në Paris të martën, ku do të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Ky i fundit ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite do të ketë edhe bisedime me përfaqësues amerikanë.
Starmer tha se ka pasur “përparim serioz” si në planin amerikan, ashtu edhe në punën e “Koalicionit të të Gatshmëve”, duke shtuar se një nga çështjet kryesore të diskutimit do të jetë integrimi i propozimeve amerikane me planet e koalicionit.
Ai theksoi se tashmë ekzistojnë plane ushtarake dhe se fokusi është te mënyra se si këto iniciativa mund të bashkërendohen për të ofruar garanci sigurie më të forta se më parë.
Pa qenë tepër optimist, kryeministri britanik u shpreh se viti 2026 mund të jetë vendimtar për hapa konkretë drejt paqes në Ukrainë, duke nënvizuar se kjo do të kishte një ndikim të madh edhe për Britaninë e Madhe.


