Stafi teknik te Partizani, dyshja Kalari-Tomori marrin “timonin”

schedule17:46 - 15 Dhjetor, 2019

schedule 17:46 - 15 Dhjetor, 2019

Partizani do të drejtohet nga Reinaldo Kalari gjatë ndeshjeve të mbetura të Superligës për këtë vit. Klubi vendosi që bashkë me të, në stol të ulet edhe drejtuesi i akademisë, Genci Tomori

Atmosfera duket e qetë, edhe pse nuk është aspak e tillë. Partizani iu kthye fushës së stërvitjes dy ditë pas humbjes së hidhur në derbin me Tiranën, dhe tashmë drejtohet nga dikush tjetër, në vend të Franko Lerdës.

Klubi vendosi që trajneri i tyre, Reinaldo Kalari, të jetë në detyrë të paktën përkohësisht. Për të ndihmuar ish-lojtarin e krahut, që është në moshë të re dhe pa shumë përvojë në profesion, presidenti Demi dhe drejtori Olsi Rama kanë menduar t’i vendosin në krah Genci Tomorin, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në Akademinë e Pezë Helmësit.

Ai është sot drejtues i Akademisë së kryeqytetasve. Partizani do të luajë në mesjavë në fushën e Teutës, ndërsa në fundjavë do të mbyllë vitin 2019 me ndeshjen në “Selman Stërmasi” ndaj Vllaznisë.

Detyra e dyshes Kalari-Tomori është që t’i kthejnë qetësinë një skuadre që është kampione në fuqi e Shqipërisë, por që është dëmtuar shumë psikologjikisht gjatë periudhës së drejtimit nga Lerda.

Nuk dihet se çfarë lëvizjesh teknike do të bëjnë trajnerët e përkohshëm, dhe nëse do të kthejnë në formacion Jasir Asanin, një nga lojtarët më të mirë të Partizanit sezonin e kaluar, por që u la shpesh në stol nga italiani.

Në seancën stërvitore nuk u ndodh sërish Esat Mala, i ndëshkuar nga klubi për shkak të refuzimit për të rinovuar kontratën, ndërsa portieri dhe kapiteni Alban Hoxha qëndroi më së shumti pushim.

Nuk dihet se kur do të caktohet një trajner i ri tek të kuqtë, por duket se klubi do të mendohet mirë përpara se të vendosë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!