Stadiumi kombëtar do të testohet në Qershor

schedule16:42 - 22 Janar, 2019

schedule 16:42 - 22 Janar, 2019

Arena e re kombëtare pritet të testohet pas pak muajsh. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv të Federatës, Arben Dervishaj, flet për stadiumin, i ftuar në emisionin “Presing” në ABC News.

Afatet janë kaluar, por fundi nuk duket larg. Arena e re Kombëtare pritet të vihet shpejt në dispozicion të ekipit përfaqësues dhe të skuadrave të Superligës, ndonëse punimet ende nuk kanë përfunduar. Arben Dervishaj, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, i ftuar në emisionin “Presing” në ABC News, deklaron se 70 për qind e projektit ka përfunduar.

“Jo më larg se sa javën e kaluar ne diskutuam me problemet e arredimit, të cilat po i përgatit i njëjti arkitekt. Menaxhimi i stadium sa i takon pjesës VIP, gazetarëve dhe shumë shpejt do fillojmë porositjen e pajisjeve të arredimit në mënyrë që në Qershor ta kemi gati stadiumin për kolaudim, ndërsa me një ndeshje stërvitore, jo ndeshje të ekipit kombëtar pasi duhen provuar të gjitha sistemet”, tha Dervishaj.

Dervishaj sqaron edhe se kur do të jetë gati fusha, apo sektorë të tjerë.

“Fusha besoj se fillon nga muaji Mars se atëherë është dhe periudha më e mirë për të mbjellë barin. Nuk ha shumë kohë fusha. Bazamenti maksimumi dy-tri javë dhe bëhet, ndërsa tapeti do porositet që tani që të jetë gati për në Mars që të instalohet. Pjesa e tifozërisë ka përfunduar dhe do vendosen stolat të cilat kanë ardhur, ndërkohë po punohet kryesisht te tribuna VIP. Pjesa e parkingut e të gjitha gati kanë përfunduar. Dhe në fasadë po punohet”, tha ai.

Dervishaj flet për shtetin dhe problemet e krijuara.

“Nëse Federata ka kontribuar me 10 milionë Euro, qeveria nuk e ka dhënë pjesën e vet. Ne i themi që na rimburso TVSH-në dhe nuk na duhet pjesa tjetër. Pra neve po të na rimbursohet TVSH-ja, ne arrijmë t’i plotësojmë të gjitha kërkesat. Ne na vonoi shkalla monumentale sepse në projektin e parë ishte që nuk do kishte. E dyta në pjesën veriore të stadiumit si rezultat i gërmimeve doli bazamenti shumë i ulët dhe shkojmë një kat më poshtë”, tha Dervishaj

Vlerësimi i Federatës për stadiumin e ri të Tiranës është vërtet tepër i lartë.

“Do jetë një nga stadiumet më të mira në Europë. Nuk e them për mburrje, por e them sepse unë e kam parë projektin, kam parë dhe cilësinë e materialeve që vendosen. Materialet janë të cilësisë së parë”, tha Dervishaj.

Në Qershor, pra Arena Kombëtare, do të testohet. Me shumë gjasë, ajo do të jetë gati për ndeshjet e ekipit përfaqësues në muajin shtator./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!