Refik Halili ishte i ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin “Pressing” në ABC dhe nuk ngurroi të fliste edhe për çështjen e borxheve që klubi i Tiranës ka pasur dhe ka, ndërkohë që theksoi se kanë paguar 1.7 milion euro deri më tani. Çështja e stadiumit u prek gjithashtu, sikurse edhe largimit i Arbi Laçit, apo lënia e drejtimit të klubit në duart e vajzës, Goldit.
BORXHET – “Çfarë kemi kaluar ne si klub, mos e kaloftë askush. Është një vuajtje shumë e madhe. Jemi drejt fundit me zerimin e borxhit. Duam të marrim edhe aksionet e bashkisë. Ose mund t’i blejnë tifozët. Kemi paguar deri tani rreth 1.7 milion euro borxhe. Kur ta përfundojmë të gjithën, shpresoj deri para vitit të ri, të gjithëve do u japim nga një dosje me të gjitha pagesat.
Nuk dua të flas për gabimet, s’e kush i ka bërë. I takojnë së shkuarës. Nuk ka gjë që i shpjegon dhe i rregullon. I mbaj edhe në xhep letrat e borxheve. Kemi vetëm 6 përmbarues tani, 108 milion lek. Kemi edhe një çështje me Seferin dhe shkojmë drejt fundit. Nuk i kemi 800 milion borxhe, siç tha dikush nga Partizani që pse e licencojnë Tiranën.
Kemi një aktmarrëveshje dhe janë vetëm 170 mijë euro borxhe. Do marrim një borxh, kam marrë gjithmonë, kredi në banka. Sa më kanë, nuk i mbaj mend. Nuk flitet për investimet në terrene që po bëjmë. Janë dy fusha drejt përfundimit. Do dalë edhe projekti i stadiumit së shpejti. Kam shitur pronat e mia për t’i bërë të gjitha këto. 960 milion leke kushtojnë 36 për qind të aksioneve të bashkisë. Vllaznia kushton 560 milion, më shumë aksione”.

STADIUMI – Projekti ka përfunduar. Për 10 ditë do mbyllet dosja. Do e kemi gati dhe do mundohemi ta prezantojmë. Ai stadiumi nuk është i imi, është i Tiranës. Për mua, edhe si ndërtues, e kam thënë se është një fekale në mes të Tiranës. Do ishte mirë të shembet dhe të bëhet një i ri. UEFA sot e sugjeron që të jetë multi-funksional, me qendra tregtare. Është në një zonë të mirë dhe sjell të ardhura. Kam takuar miq që kanë ardhur në stadiumin e ri me fëmijët. Të vijnë të stadiumi që kemi sot është pak problem, pasi është i amortizuar”.
GOLDI – I ngacmuar nëse vajza e tij, Goldi, mund të jetë presidentja e parë femër në një klub të Superiores, Halili tha: “Ajo ka çfarë bën, shpresoj të hapë një biznes dhe ta vazhdojë në linjën e saj. Ka bërë një punë me faqen zyrtare, është përfshirë në disa gjëra dhe organizime. E falënderoj, por ky është biznes pak me humbje.
Ne fillim nuk e kanë parë. Po e çoj drejt një rruge ku minimizohen humbjet. Kemi fatin që kemi asete. Na duhen 250 mijë euro të investojmë në fusha. Asnjë bankë në Shqipëri nuk pranon të na japë kredi. Na shikojnë si banditë. Nëse bëhen fushat me tapet, ato sjellin 30 mijë euro në muaj. Këtë e them që të dëgjojnë ata që ku i marrim paratë”.
DREJTORI LAÇI – “Arbi ka dhënë kontribut, goxha të madh. Ka qenë i kujdesshëm, i qetë. Ju keni kapur vetëm pjesën kur ka qenë mirë. Ndaj vij kur jam keq unë. Ka kaluar edhe situata të këqija. Kam vetëm fjalë të mira dhe falënderime. Mendoj se u nxitua me vendimin që mori”, u shpreh Halili. /abcnews.al

