Spiunazh në favor të Iranit, nën akuzë ish-oficerja amerikane

schedule23:20 - 13 Shkurt, 2019

schedule 23:20 - 13 Shkurt, 2019

Tradhtoi vendin dhe kolegët për të spiunuar në favor të Iranit. Tani ish-oficeres amerikane të inteligjencës do t’i duhet të përballet me drejtësinë e Shteteve të Bashkuara, që lidhur me çështjen ka sanksionuar edhe një seri individësh e kompanish.

Autoritetet në Shtetet e Bashkuara akuzuan të mërkurën një ish-oficere të shërbimeve sekrete ushtarake për spiunazh në favor të Iranit. Sipas mediave amerikane, ish-oficerja Monika Uit kishte ndihmuar Republikën Islamike në një operacion spiunazhi kibernetik, që kishte vënë në shënjestër ish-kolegët e saj. Burimet mediatike bëjnë të ditur se drejtësia amerikane ka ngritur gjithashtu padi ndaj 4 shtetasve iranianë, të përfshirë në sulme kibernetike ndaj institucioneve të Shteteve të Bashkuara, si dhe ka vendosur sanksione ndaj dy kompanive elektronike iraniane dhe shumë personave të tjerë.

Zyrtarët kanë deklaruar se ish-oficerja kishte furnizuar me informacione palën iraniane mbi agjentët amerikanë, pasi kishte dezertuar në Teheran në vitin 2013. Ajo ishte rekrutuar për operacionin nga agjentët e Teheranit pasi kishte marrë pjesë në dy konferenca ndërkombëtare të organizuara nga kompanitë e sanksionuara iraniane, që mbështesnin institucionet e Republikës Islamike në mbledhjen e informacioneve.

Uit kishte qenë oficere e kundër zbulimit në radhët e inteligjencës së forcave ajrore nga viti 1997 në 2008 dhe më pas kishte punuar si kontraktore për shërbimet sekrete amerikane për dy vjet. Përmes informacioneve të saj, kompanitë iraniane sulmuan agjencitë qeveritare amerikane dhe adresat elektronike të personelit ushtarak me një fushatë agresive virusesh kibernetike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!