Spitali Amerikan nis trajnimin e stafit, Allajbeu: Një nga spitalet tona në funksion të autoriteteve

schedule10:07 - 20 Mars, 2020

schedule 10:07 - 20 Mars, 2020

Në skenarët e menaxhimit të situatës me COVID-19, qeveria ka deklaruar se do të përfshijë edhe rrjetin e spitaleve jopublike në vend.

Drejtori i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu ka sqaruar se prej disa ditësh ka nisur trajnimi i një stafi të plotë spitalor, për të vënë atë në dispozicion të autoriteteve shëndetësore në funksion të përballimit të situatës me koronavirusin.

“Ne filluam para 3 ditësh trajnimin e gjithë stafit për një nevojë të tillë që mund të kërkohet në të ardhmen. Një nga spitalet tona bashkë me një staf të trajnuar, të kompletuar do të vendoset në dispozicion të vendit për të trajtuar pacientët me Covid-19, në rast të një organizimi nga Ministria e Shëndetësisë. Ne kemi kapacitetet tona me respiratorë, dua të falënderoj gjithë mjekët në Shqipëri por edhe ata të Spitalit Amerikan që kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të qëndruar në këto ditë për çdo nevojë që do të paraqitet. Ne kemi bërë një organizim perfekt duke filluar nga ambulancat deri tek trajtimi shëndetësor spitalor”.

Sipas Allajbeut, masat e ndërmarra nga qeveria për kufizimin e lëvizjeve janë të drejta duke theksuar se vendi nuk mund të përsëris të njëjtat gabime si Italia.

“Për Shqipërinë kjo është metodologjia e duhur, për faktin se ne jemi vend i vogël, dhe e kemi më të lehtë për tu organizuar, dhe është më e lehtë që të ndërmerren këto masa. Në vende më të mëdha, si Amerika, Britania është shumë e vështirë ndërmarrja e këtyre masave, gjithashtu duke patur parasysh edhe forcën prodhuese që këto vende kanë, impakti në ekonominë e tyre do të jetë drastik. Kolapsi i Italisë, dhe i Italisë së veriut në veçanti, ishte se u mor lehtë, masat u morën me vonesë, u morën kur virusi ishte përhapur kudo. Nuk u mor seriozisht ky virus”.

Aktualisht i vetmi spital i kthyer në karantinë është Spitali Infektiv në “Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza”, ndërkohë që Ministria e Shëndetësisë po përgatitet për të kthyer në spital COVID 2, Spitalin “Shefqet Ndroqi” në Tiranë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!