Spiropali: Vëmendja tek njerëzit, opozita në hotele me 5 yje

schedule14:39 - 8 Shtator, 2018

schedule 14:39 - 8 Shtator, 2018

Një ditë pas Asamblesë Kombëtare, Partia Socialiste mblodhi në një takim kryesinë e saj. Gjatë 30 minutave kreu i PS, Edi Rama, ndau detyrat elektorale për sekretarët e rinj, duke vënë theksin mbi punën në terren, por dhe vemendje në fushën dixhitale.

Zëdhënësja e kryesisë, Elisa Spiropali tha se vendja e PS do të jetë tek njerëzit dhe jo tek opozita.

Mbledhja e Asamblesë Kombëtare e së premtës u ndoq të shtunën nga një mbledhje kryesie për socialistët.

Si ditë fundjave, veshjet sportive ishin më të shpeshta se kostumet zyrtare. Por dominimi ishte i atleteve. Normalitet për kryeministrin, por jo edhe aq të zakonta për kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Mbledhja e kryesise zgjati vetëm 30 minuta. Sipas burimeve, sekretarët e rinj janë njohur me detyrat dhe porositë për nisjen në terren të fushatës “E gjithë vemendja për ju”.

Kryeministri Rama ka kërkuar që për këtë vit elektoral veç planit elektoral në terren, të mbahet në vendje edhe sfera dixhitale, me synim shtimin e mbështetësve në rrjetet sociale.

Ndërsa drejtuesit politikë të qarqeve janë udhëzuar të ndërmarrin veprimet konkrete për turin e llogaridhënies mes kryebashkiakëve dhe këshilltarëve socialistë.

Zëdhënesja e kryesisë, Elisa Spiropali, vlerësoi fushatën “E gjithë vendja për ju” dhe shigjetoi opozitën.

“Është një përpjekje serioze e PS për të afruar radhët tona, njerëzit më të mirë në komunitete nga fshati më i largët deri në qendër të Tiranës për të koordinuar përpjekjet e grupit parlamentar dhe qeverisë në mënyrë që të gjitha politikat, të gjitha ligjet të shkojnë drejt njerëzve dhe përmirësimit të jetës së tyre sociale e ekonomike, por edhe faktorëve të tjerë të jetës shoqërore. Në refuzojmë të bëhemi pjesë e politikës së ditës e gicmiceve me opozitën e cila siç duket fatkeqësisht ka zgjedhur që betejën parlamentare ta bëjë në hotele me pesë yje në qytete të Shqipërisë”.

Në lidhje me zyrtarizimin ose  të vendimit të PS për përjashtimin nga grupi të deputetit Gjetan Gjetani Spiropali shpjegoi.

“U diskutuan në Asamblenë Kombëtare dhe pas largimit të gazetarëve ne kemi edhe një proces votimi për të gjitha vendimet e Asamblesë Kombëtare”.

Burime të “ABC News” saktësuan se emri i deputetit Gjetani nuk u bë objekt i diskutimeve në mbledhje, por as në Asamble nuk ka pasur procedurë votimi për të. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!