Polemika të mëdha në Itali pas ndeshjeve të para të Serisë A. Trajneri I Fiorentinës akuzon teknologjinë, ndërsa tifozët e Juventusit janë të pakënaqur.
Nuk duam të themi se teknologjia ishte plotësisht korrekte, përkundrazi.
Gabimet ishin të mëdha në stadiumin “Artemio Franki” të Firences, por edhe mania për t’u marrë me “moviolën” në Itali është vërtet një ves kolosal.
Gjithsesi, le ta themi që në fillim se VAR-i gaboi për penalltinë që iu dha Napolit ndaj Fiorentinës, pasi Mertens bëri teatër dhe duhej ndëshkuar me karton.
Gabimi i VAR-it ishte që nuk ndërhyri për të ndrequr vendimin e padrejtë të gjyqtarit Masa.
Momenti i dytë, për të cilin me të drejtë ankohen fiorentinët, ishte kur Hysaj mbajti me faull Riberinë.
Arbitri gjykoi për jashtë zone, ndërsa në të vërtetë ishte penallti.
I drejtë 11-metërshi për “vjollcët”, në bazë të rregullave të reja të FIFA-s dhe UEFA-s.
Trajneri vendas, Vinçenco Montela, u shpreh shumë i revoltuar pas asaj që ndodhi.
“Nuk arrij ta kuptoj, – akuzoi ai, – ka 5 njerëz për atë punë dhe nuk e përdorin VAR-in. Akuzoni Kiezën për simulim, por ja që simulimin e bëri Mertensi. Këto gabime nuk mund të pranohen kur ekziston teknologjia, që mund të ndihmojë arbitrin”.
Fiorentina-Napoli ishte një duel i bukur, përtej këtyre, dhe përfundoi 5-4 për miqtë që shënuan me anë të Mertensit, Insinjes (penallti), Kajehonit dhe sërish Insinjes.
Pulgar me penallti, Milenkoviç dhe Boateng realizuan për vendasit.
Jo vetëm fiorentinët, por edhe tifozët e Juventusit e mallkuan me të madhe teknologjinë.
Juventusi fitoi 1-0 në fushën e Parmës, por mund të kishte qenë 2-0 nëse Kristiano Ronaldos nuk do t’i ishte anuluar një tjetër gol, për pozicion jashtë loje.
Gjyqtari napolitan Mareska e akordoi fillimisht, por VAR-i ndëhyri dhe e “skartoi” rrjetën e CR7-ës.
Pozicioni jashtë loje ishte kaq milimetrik saqë një nga tifozët juventinë, në rrjetet sociale, bëri shaka:
“Teknologjia nuk gabon, por çfarë e bëri ofsajd Ronaldon, ndoshta ndonjë kaçurrel apo balluke e flokëve”.
Ishte një nga ata gola që nuk do të ishin kundërshtuar as nga tifozët e skuadrës rivale, ndërsa vetë portugezi humbi një tjetër gol “të qëruar”, diçka që i ndodh rrallë.
Gjithsesi, Ronaldo ishte një nga më të mirët në fushë, pavarësisht se nuk shënoi gol, duke u veçuar nga të tjerët bashkë me autorin e golit të fitores, Kielinit./ABC News Albania 24/7