Specialja në Kosovë konfirmon arrestimin e ish-shefit të inteligjencës së FSK-së

schedule12:38 - 24 Shtator, 2020

schedule 12:38 - 24 Shtator, 2020

Gjykata Speciale në Kosovë ka konfirmuar se ka dhënë urdhër për arrestimin e Salih Mustafës, ish-shef i inteligjencës së FSK-së, që ka qenë pjesëtar i UÇK-së.

Specialja njofton se Mustafa u arrestua pas aktakuzës të konfirmuar.

“Salih MUSTAFA u arrestua sot në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi, urdhri për transferim dhe aktakuzës së konfirmuar, të lëshuara nga një gjykatës i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.”

Lexo edhe: Nis aksionin Specialja në Kosovë: Arrestohet ish-shefi i inteligjencës së FSK, dërgohet në Hagë

Po ashtu, në njoftim konfirmohet se ish-shef i inteligjencës së FSK-së po dërgohet drejt Hagës.

“Z. MUSTAFA po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”.

“Sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, policia në kuadrin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka autoritetin dhe përgjegjësinë që të ushtrojë kompetencat që i janë dhënë policë së Kosovës, sipas ligjeve të Kosovës. Në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjithashtu përcaktohet se personi kundër të cilit është konfirmuar aktakuzë, merret në ndalim në zbatim të urdhërarrestimit ose fletarrestimit të lëshuar nga Dhomat e Specializuara.”

Mustafa u intervistua nga prokurorët e Dhomave të Specializuara, në nëntor të vitit të kaluar, në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte. s.b/abcnews.al/