Specializimet, interes për mjekë familje/ Nga mjekë që aktualisht punojnë në qendra shëndetësore. Të rinjtë kërkesa edhe për mjekë urgjence

schedule17:48 - 15 Maj, 2024

schedule 17:48 - 15 Maj, 2024

Mjekë që aktualisht punojnë në qendra shëndetësore i janë kthyer universitetit për tu specializuar si mjekë familje.  Ndryshe nga vitet e shkuara kur ky specialitet dhe ai për mjekë urgjence nuk zgjonin interesin e mjekëve të rinj ka ndodhur këtë vit.

Zëvendës rektorja e Universitetit të Mjekësisë në Tiranë Alma Idrizi tregon arsyen.

“Janë mjekë që punojnë si mjekë familje në qendra të ndryshme, por nuk paguhen si specialistë, kjo i ka bërë që të marrin marre diplomën e specializimit si mjekë familje dhe të rikthehen në vendin e punës me pagë më dinjitoze. Për 30 kuota mjekë familje janë plotësuar 14 presim dhe 12 për të aplikuar sërish. Për urgjencën janë miratuar 20 kuota dhe janë përzgjedhur 13, mund të kemi fazë tjetër në varësi të kërkesave të ministrisë për këto degë prioritare.”, tha ajo.

Nevoja për mjekë në këto dy specialitete bëri që Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Fakultetin e Mjekësisë të hiqnin testimin për këto profile. Vlerësimi u bazua në notën mesatare të viteve të universitetit. Megjithëkëtë specialitetet më të pëlqyera të mjekëve të rinj janë ato për sëmundjet e brendshme.

“Kardiologji, endokrinologji gastroenterologji, kirurgji e përgjithshme. Rritje interesi vitet e fundit ka pasur për dermatologji dhe kirurgji plastike.“, shtoi mjekja.

Për 273 vende të lira këtë vit për tu specializuar në mjekësi konkurruan rreth 450 kandidatë. Pas testit të informatizuar u kualifikuan 241 mjekë 102 prej të cilëve gjatë specializimit do të paguhen me 80% të pagës së mjekut specialist pas marrëveshjes së nënshkruar me Ministrinë e Shëndetësisë që në përfundim të studimeve të shërbejnë aty ku ka nevojë./abcnews.al