Nga Sokol Balla
Në qershor 2022 Lionel Messi ngrinte Kupën e Botës. Ishte kulmi i një lojtari që kishte bërë historinë e futbollit.
Por edhe kulm i Katarit, vendit organizator. Vendi i vogël i Gjirit loboi për më shumë se një dekadë, dhe e mori organizimin duke mundur kandidaturën e Anglisë me ambasador David Beckham. E mundi përmes një debati të fortë edhe për korrupsion të FIFA-s.
Por Gianni Infantino, italo-zvicerani që drejton trupën botërore të futbollit, tha pak ditë më parë se, nëse e pyesin se ku u mbajt Kupa më e mirë e Botës, ai pa dyshim do të zgjidhte Katarin.
Dhe nuk është i vetmi. Presidenti amerikan Donald Trump, deri pak vite më parë e konsideronte Dohan një qendër të rrezikshme, ku strehoheshin terroristë dhe për këtë e izoloi Katarin dhe hapësirën e tij ajrore, për dy vjet. Por gjatë vitit të tij të parë si president, familja zotëruese e Katarit, Al Thani, i dhuroi atij një Boeing 747 si avioni i ri i Air Force One. Avioni në fund të mandatit do të kalojë në pronësi të fondacionit presidencial Trump, pra de facto do jetë i tij përjetësisht. Kjo dhuratë është simbol i fuqisë së Katarit, një vend i vogël, me zemër të madhe. Po aq sa portofoli i tij. Katari është vendi me rezervën më të madhe të gazit në botë. Dhe dihet, se kur të mbarojë gazi, poshtë tij fshihet nafta.
Kjo shpjegon arsyen pse Doha, prej vitit 2000, është kthyer në pikë reference fillimisht rajonale dhe pastaj botërore për dialogun dhe komunikimin, edhe për vende që janë në luftë. Si dhe pse kësaj radhe familja Trump, që kishte vite që kishte bojkotuar eventin, kësaj radhe kishte sjellë pinjollin e saj kryesor.
Forumi i Dohas: politikanë e liderë botërorë, diplomatë dhe gazetarë. Këtu çdo vit ata bashkohen çdo dhjetor dhe flasin për politikën, sigurinë, diplomacinë. Bota sot ndryshon shpejt. Armiqtë e djeshëm bëhen miq. Një vit më parë, Al Shaara ishte një nga njerëzit më të kërkuar në botë nga Amerika. Sivjet në Doha, si president i Sirisë së ripranuar në gjirin e vendeve normale, ai intervistohej në panelin qendror të forumit në Doha nga Christiane Amanpour.
“Doha ka qenë gjithmonë vend kryqëzimi i interesave të Lindjes dhe të Perëndimit. Këtu, deri para dy vitesh zhvilloheshin negociatat mes talibanëve dhe Amerikanëve. Tashmë që konflikti në Gaza ka marrë një drejtim, fokusi kryesor i konflikteve është Ukraina”
Në Kiev e Kharkiv vazhdojnë bombardimet. Nga Viena vijnë alarme për ndotje të re bërthamore nga Çernobil. Fantazmat e vjetra po rishfaqen. Rusia duket se ka gjetur një mbështetje që nuk e kishte në Washington. Europa duket e vënë me shpatulla pas murit. Në Doha, në të njëjtën karrige ku u ul Al Shaara, komisionerja europiane e punëve të jashtme duket në një pozitë jokomode.
“Nuk e kam lexuar raportin amerikan sikur Europa është armiku, në fakt lexova vetëm pjesën europiane. Nuk lexuar pjesën tjetër, sigurisht ka patur shumë kritika, por mendoj se disa prej tyre janë gjithashtu të vërteta. Po të shohësh Europën ajo e ka nënvlerësuar fuqinë e saj përballë Rusisë, me gjithë këtë dua të them se duhet të jemi më të siguritë në vetvet”
Në të njëjtën kohë, me Forumin në Doha, Vladimir Putin bënte një vizitë historike në Indinë e 1.7 miliardë njerëzve, dhe ekonominë e fortë të saj. Një shtrirje dore për një aleancë sot financiare, ndoshta nesër diçka më shumë. Dhe një ftesë Delhit që t’i pajtojë me Kinën.
Kina, armiku më i madh i Amerikës së sotme. Që nga koha e Reagan e deri te Trump dy, diplomacia dhe ushtria amerikane shohin me skepticizëm dhe ankth forcimin ushtarak të Pekinit. Rusia e Putin ka investuar shumë që ta intensifikojë ankthin në Uashington për Kinën. Amerika nga ana e saj ka investuar shumë që pas Luftës së Dytë Botërore të rrisë ankthin në Moskë, me forcimin e Europës Perëndimore. Por tani Donald Trump thotë se ka ardhur koha që Europa të paguajë mbrapsht interesat e investimit amerikan: duke ndërprerë blerjen e naftës dhe gazit rus, si fillim. Por Europa e plakur dhe e kamur nuk duket të jetë akoma gati. Macron apo Mertz po flasin për forcim ushtarak të Europës.
Por Putin nuk duket i shqetësuar.
“Ata janë në anën e luftës edhe kur përpiqen gjoja të sjellin disa ndryshime në propozimin e Trump dhe ne shohim qartë se cfarë po bëjnë, të gjitha këto ndryshime, synojnë vetëm një gjë. Të bllokojnë plotësisht të gjithë procesin e paqes duke paraqitur kërkesa që janë absolutisht të papranueshme për Rusinë. Ata e kuptojnë këtë, duke vepruar kështu ata synojnë të fajësojnë Rusinë për rrëzimin e këtij procesi të paqes, ky është qëllimi i tyre. Nuk duam luftë me Europën, por nëse Europa papritmas dëshiron të na sulmojë ne jemi gati për këtë luftë. Do të jemi në një situatë në të cilën nuk do të kemi me kë të negociojmë”
Disa ditë më parë, ai tha se nëse Europa do luftë, Rusia është gati. Por a është Europa?
Përgjigjja gjendet në Ukrainë. Kievi po hyn në dimrin e katërt të një lufte pa fund, me më pak mbështetje se kurrë në Washington, mes skandalesh korrupsioni dhe një mbështetjeje në rënie të madhe të presidentit Zelensky mes vetë ukrainasve. Mbështetja e kredive europiane nuk mjafton. Duhet mbështetje amerikane — politike dhe ushtarake. Por Donald Trump nuk jep asgjë falas. Kievit i duhet të negociojë edhe me të. Europa nuk e ndihmon dot në këtë. Por së paku nuk duhet të bëjë dëm.
Vetëm tre ditë më parë, Komisioni Europian gjobiti një nga njerëzit më të afërt të Donald Trump, Elon Musk me 120 milionë euro për shkelje të një ligji të BE.
Musk reagoi: BE duhet të shkrihet dhe sovraniteti t’u rikthehet vendeve anëtare. I pari që reagoi, ish-presidenti rus dhe kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare Dimitri Medvedev.
Në Kiev nuk po dështon vetëm ushtria ukrainase, por edhe diplomacia europiane. Moska ka rrethuar Ukrainën por edhe Brukselin. Washingtoni po i kërkon Europës që të reagojë: të shkëpusë lidhjet me Kinën, të ndërpresë importin e naftës dhe gazit rus. Pastaj të rrisë edhe shpenzimet ushtarake. Duke mos harruar asnjëherë vitin 1945. Pa Amerikën, pas Luftës së Dytë Botërore Europa e bashkuar nuk do të ekzistonte. Kaja Kallas nga Doha e pranoi këtë më në fund.
“Ju e dini, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të jenë aleati ynë më i rëndësishëm. Në atë raport kam lexuar gjithashtu se ne jemi ende aleati më i madh i tyre dhe janë në interesin e Shteteve të Bashkuara humbjet e Europës. Ne jemi aleatë dhe punojmë së bashku. Nuk kemi pasur gjithmonë një mendim të përbashkët për tema të ndryshme, por mendoj se parimi i përgjithshëm është ende aty. Ne jemi aleatë të mëdhenj dhe duhet të qëndrojmë të bashkuar.”
Washington, Presidenti i FIFA-s i dorëzon presidentit Trump çmimin e paqes, të shpikur për herë të parë për të. Kupa e Botës, pas Katarit, do të ngrihet në korrikun e vitit tjetër në Shtetet e Bashkuara. Katër vjet edhe pas fillimit të konfliktit në Ukrainë, në zemër të Europës. Po ndërsa për fituesin e Kupës së Botës do na duhet të presim deri në korrik, për rezultatin e luftës në Ukrainë frika është se mund ta marrim vesh më herët. Dhe një humbje e Ukrainës do ishte një dështim jo thjesht për Europën, por edhe një dështim i projektit të saj.
“Reagimi i menjëhershëm i ish Presidentit dhe ish kryeministrit rus, Medvedev, ndaj deklaratës kërcënuese të Elon Musk për shkrirjen e BE tregon një fakt unik të vetëm por domethënës. BE paratë e tij, tregu i tij i bashkuar nuk është asgjë pa SHBA.
Presioni i Ëashingtonit nën administratën Trump, është që Europa të marrë fatin e vet ushtarakisht brenda vitit 2027 sigurisht brenda kornizës së NATOs, por nëse deri atëherë kjo nuk arrihet, edhe Aleanca Euroatlantike mund të vihet në dyshim dhe bashkë me të sigurisht edhe ekzistenca e BE. Kjo spjegon faktin pse edhe vende anëtare dhe kandidate për t’u bashkuar me të sic është Shqipëria, po ngrenë alarmin dhe po drejtojnë gishtin e përgjegjësisë tashmë as nga nga Ëashingtoni as nga Moska, por pikërisht nga Brukseli”/abcnews.al
View this post on Instagram

