SPECIALE/ “Diamantet” që u gdhendën edhe në Superiore, njihuni me 8 rekordmenët

schedule17:40 - 5 Nëntor, 2020

schedule 17:40 - 5 Nëntor, 2020

Anthony Okpotu, një lojtar që Laçi e mori me shpresën se do të zgjidhte hallet e sulmit. Gjithsesi në fund nigeriani shënoi vetëm një gol në Superiore. Nuk ishte pa gjë, por në krye të gjashtë muajve sulmuesi mori avionin dhe nuk u kthye më. Pak ditë më parë në kampin kurbinas edhe mund të jenë mërzitur disi, kur kanë parë që Okpotu u shit nga Monastir (Tunizi) te Qatar SC për 1 milion euro. Sigurisht Laçi nuk do e kishte shitur dot aq edhe nëse do kishte shënuar dyfishin e golave (doli golashënues me 13 gola). Por kush janë lojtarët e tjerë, të cilët kanë luajtur në Superiore dhe janë shitur për 1 milion euro dhe lart pasi janë larguar nga kampionati ynë? Abcnews.al ju sjell listën e tyre dhe nuk janë pak, por 8 futbollistë, madje që janë transferuar edhe më shumë se njëherë për mbi 1 milion euro.

CALEB EKUBAN (1 MILION EURO) – Ganezit i ndryshoi jeta në Shqipëri, ku erdhi verën e vitit 2016. Pasi Hellas Verona e kishte huazuar në ekipe të ndryshme në Serie C, Ekuban pranoi të transferohej në Shqipëri te Partizani. 17 gola të shënuar, asnjë me penallti dhe pa asnjë diskutim një nga lojtarët më të frikshëm për mbrojtësit e Superiores. Aty u hapën rrugët dhe Leeds United pagoi 560 mijë euro, te Hellas Verona. Njeh sezon në Championship dhe Trabzonspor pagoi fillimisht 200 mijë euro për ta huazuar dhe një vit më pas e bleu për 1 milion euro. Sot vlen të paktën 6 milion euro.

 

Myrto Uzuni, Kaleb Ekuban dhe Anthony Okpotu

MYRTO UZUNI (1.8 milion euro) – Lëvizjet brenda kampionatit tonë kanë qenë normale. Rreth 5 mijë euro për të kaluar nga Tomori tek Apolonia, 30 mijë të tjera për të lënë fierakët për Laçin dhe më pas nisi loja e vërtetë. Kurbinasit e shitën për 350 mijë euro dhe mbajtën 20% të kartonit, ndërsa “golin” e bëri më pas Lokomotiva Zagreb. Kroatët morën diçka më tepër se 1.8 milion euro, të paguara nga Ferencvarosi kampion i Hungarisë. Mbrëmë Uzuni debutoi në Champions League, kundër Juventusit të idhullit të tij, Cristiano Ronaldos.

BEKIM BALAJ (2 MILION EURO) – Duhet të kthehemi 10 vite pas në kohë, kur sulmuesi shkodran nga Vllaznia kaloi në Turqi te Genclerbirligi për 200 mijë euro. Për të bërë një transferim mbi këtë shifër, Balajt iu desh të luante në Çeki e Poloni. Slavia Prague ishte klubi që e shiti sulmuesin te Rijeka për 550 mijë euro, ndërkohë që për ta kaluar shifrën 1 milion euro duhet të priste verën e vitit 2016. Gjiganti kroat nuk i tha “jo” Terek Groznyt (Akhmat Grozny tani), që ofroi 2 milion euro dhe e bëri të vetin sulmuesin.

 

Bekim Balaj dhe Bernard Berisha

BERNARD BERISHA (2.5 MILION EURO) – Besa stacioni i parë, Skënderbeu i dyti. Në Superiore i çmendte ata në fushë dhe tifozët në shkallët e stadiumit. Motor, të cili Skënderbeu verën e vitit 2016 e shiti në Rusi te Anzhi për vetëm 250 mijë euro. Korçarët mbajtën përqindje të kartonit dhe përfituan sërish edhe nga transferimi tjetër. Një vit u desh që Bernard Berisha të bënte për vete edhe rusët. Terek Grozny, tani Ahmat Grozny, pagoi 2.5 milion euro për anësorin nga Peja, i cili është edhe sot një nga lojtarët më të rëndësishëm të kësaj skuadre. Madje i kanë dhënë edhe shiritin e kapitenit.

PETER OLAYINKA (3.2 MILION EURO) – Sulmuesi nigerian është ai që mban rekordin e transferimeve nga Superiorja. 1.1 milion euro pagoi Gent te Skënderbeu, ndërkohë nuk luajti asnjë ndeshje me skuadrën belge. Huazim në Çeki te Dukla Praha, pastaj te Zulte Waregem në Belgjikë. Super sezon dhe për të interesoheshin klube gjermane dhe franceze. Gjithsesi Slavia Praha ishte klubi që bëri ofertën më mirë, 3.5 milion euro. Tani vlen të paktën 5 milion euro dhe nuk do vonojë transferimi i tij.

 

AMIR RRAHMANI (14 milion euro) – Sot është pjesë e Napolit, por më parë ka luajtur në Superiore me Partizanin. Dy sezone, në periudhën 2013-2015. Për pesë vite vlera e tij është rritur në mënyrë eksponenciale. Transferimi i tij i parë u bë për 1.6 milion euro, nga RNK Split te Dinamo Zagreb. Gjiganti kroat verën e shkuar e shiti te Hellas Verona për 2.1 milion euro dhe në Itali i mahniti të gjithë. Napoli nuk priti dhe pas gjysmë sezoni në Serie A pagoi 14 milion euro për qendërmbrojtësin, i cili është kthyer në titullar të padiskutueshëm të Kosovës dhe pret shansin e tij tek “axurrët”.

VEDAT MURIQI (18 MILION EURO) – Për shërbimet e tij janë lakuar klube nga më të mëdhatë, deri në Premier League. Gjithsesi e bindi Igli Tare të zgjidhte Lazion, që në fakt bëri tratativa të vështira dhe pagoi rreth 18 milion euro për transferimin e gjigantit nga Prizreni. Në Superiore ka luajtur për Teutën dhe Besën dhe më së shumti mbahet mend për faktin që e kishte të vështirë të gjente këpucë të mëdha për masën e këmbës së tij. Iku në Turqi, ku shkallë-shkallë nisi të afirmohej dhe dy transferimet e para shkuan rreth 1 milion euro, derisa shpërtheu te Rizespor dhe Fenerbahce e bleu për 5.6 milion euro. /Vladimir Prenga/ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!