“Special One” e nis me fitore, Fenerbahce e Jose Mourinho triumfon bindshëm në Evropë

schedule15:36 - 24 Korrik, 2024

schedule 15:36 - 24 Korrik, 2024

E ka ulur shumë nivelin, por kuptohet që nuk i bie dot murit me kokë.

Jose Mourinho dikur tallej me trajnerët që luftonin për të fituar Europa League, ndërsa ishte mësuar me Champions, te Chelsea, Inter apo Real Madrid, ndërsa sot do të duhet të kënaqet me një fitore të vogël në stolin e Fenerbahce.

Trajneri portugez, që u vetëquajt “Special One” ka marrë prej disa javësh tashmë drejtimin e skuadrës së shquar turke, por që padyshim nuk është në nivelin e asaj që ai ka provuar në karrierë në ligat e mëdha të Anglisë, Italisë e Spanjës.

Gjithsesi, arriti një fitore, edhe pse të vështirë, dhe kjo në fushën e Lugano në raundin e dytë eliminator të kompeticionit më të rëndësishëm për klube në Evropë, UEFA Champions League. .

Në një përballje të rrezikshme vere, me lojtarët ende jo në formën maksimale, Mourinho provoi stres të madh përballë zviceranëve, që nuk ishin favoritë.

Vendasit shënuan të parët, por për fatin e Fenerbahçes, në radhët e saj ishte “bomberi” boshnjak Edin Dzeko, i cili realizoi plot 3 gola, fillimisht me penallti në shtesën e pjesës së parë dhe pastaj realizoi dy golat në minutat 47’ e 67’, pasi riktheu në avantazh 3-2 ekipin nga Stambolli.

Në radhët e Luganos ishte mesfushori zviceran me origjinë shqiptare, Uran Bislimi, i cili barazoi përkohësisht rezultatin 2-2.

“Fenerët” siguruan fitoren me rrjetën e anësorit të mbrojtjes Ferdi Kadioglu në minutën e 73’-të, ndërsa për vendasit nuk mjaftoi goli i Valenzue, për të përmbysur shifrat në sekondat e fundit, duke e mbyllur sfidën në rezultatin 4 me 3, për turqit.

Kështu, tekniku portugez siguron fitoren e parë, në një ndeshje zyrtare me nënkampionët e Turqisë, ku mision kryesor i tij këtë sezon është të dërgojë skuadrën deri në fazën e grupeve, të UEFA Champions League, si dhe të rikthejë “Fenerët” te titulli kampion në Superlig, titull që mungon që prej sezonit 2013-2014. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!