Avokati Spartak Ngjela deklaroi sonte në emisionin “Refleksione” se niveli i korrupsionit sot në vendin tonë është në nivele shumë të larta duke shkatërruar konkurrencën dhe tregun shqiptar.
Avokati deklaroi sonte se ka ministra që i kanë paguar atij që i ka emëruar nga 600 mijë deri në një milion euro në muaj.
Gjithashtu Ngjela tha se kompani klientelë të qeverisë po krijojnë monopole duke prishur tregun e lirë. Më pas ai sqaroi se përse i duhen paratë e korrupsionit politikanëve shqiptarë. Avokati tha se me paratë e korrupsionit shkatërrohen zgjedhjet e lira, blen votat, paguan policinë, çdo gjë, paguan bandat private që ka në vjedhjen e kutive. Gjithashtu Ngjela tha se ka një aleancë midis pushteti gjyqësor dhe politikës, ku njëri vjedh popullin dhe tjetri drejtësinë por që nuk cenojnë njëri tjetrin.
“Po paratë e korrupsionit përse i duhen? Me paratë e korrupsionit shkatërrohen zgjedhjet e lira. Blen votat, paguan policinë, çdo gjë. Paguan bandat private që ka në vjedhjen e kutive. Në hedhjen e votave nëpër kuti. Të gjitha këto bëhen me paratë që ka marrë nëpërmjet korrupsionit. Kjo është gjendja jonë.
Si mund të ndryshojë. Po nuk ka pushtet të drejtë ligjor, juridik dhe gjyqësor, ka korrupsion. Vetëm pushteti gjyqësor i drejtë dhe i pavarur ndalon korrupsionin.
Sepse korrupsioni punon përmes krimit. Pushteti gjyqësor e ka lejuar sepse ka një marrëveshje të brendshme midis pushteti gjyqësor dhe pushtetit politik. Pushteti politik thotë unë nuk do ju godas juve por vazhdoni punën, dhe ai tjetri thotë unë nuk kam pse merrem me ju. Njëri vjedh popullin tjetri abuzon me drejtësinë” deklaroi mes të tjerave Spartak Ngjela në emisionin “Refleksione.” / Abcnews.al