Spanjë, super operacion kundër mafias armene, 100 urdhër-arreste

schedule23:36 - 26 Qershor, 2018

schedule 23:36 - 26 Qershor, 2018

Autoritetet gjyqësore në Spanjë kanë lëshuar 100 urdhër-arreste ndaj anëtarëve të mafias armene. Organizata kriminale ishte e shtrirë gjithashtu në Francë, Belgjikë, Itali, Lituani dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa aktivitetet e saj varionin nga trafiku i drogës tek fiksimi i ndeshjeve të tenisit.

Policia në Spanjë ka ndërmarrë të martën një operacion masiv kundër mafias armene, duke ekzekutuar 100 urdhër-arreste. Anëtarët e rrjetit kriminal akuzohen për trafik droge dhe armësh, pastrim parash, grabitje, zhvatje, kontrabandë duhani dhe fiksim të ndeshjeve të tenisit. Aksionet e policisë janë kryer në qytete të ndryshme të Spanjës, mes të cilave Barcelonë dhe Madrid, ku janë bastisur 70 apartamente. Sipas hetuesve, struktura mafioze ka lidhje kriminale në Shtetet e Bashkuara, Francë, Belgjikë, Itali dhe Lituani dhe është më e madhja me etni armene në Europë. Në krye të saj qëndrojnë 6 liderë, ndërsa anëtarëve u duhet të kontribuojnë në një fond të përbashkët të quajtur “obshak”. Prokurorët nisën hetimet ndaj rrjetit pas dy vrasjeve të kryera në janar të 2016-s në qytetin Terrase, në rajonin e Katalonjës. Viktimat ishin dy anëtarë të nivelit të ulët të organizatës, që nuk kishin derdhur haraçin në arkën e përbashkët. Pas sigurimit të provave, kryesisht përmes përgjimeve telefonike, autoritetet gjyqësore kanë autorizuar operacionin masiv. Hetuesit kanë zbuluar se paratë e fituara nga trafiqe të ndryshme përdoreshin për të blerë objekte në ankand, të cilat më pas shiteshin jashtë shtetit për të pastruar paratë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!