Anija me mbi 600 emigrantë në bordë e refuzuar nga Italia dhe Malta, ka mbërritur në portin e Valencias në Spanjë. Ata janë pritur nga një ekip me mbi 2 mijë persona. Këtë fakt, ministri i brendshëm Italian Salvini e ka cilësuar arritje të madhe të qeverisë së Romës.
“Mirëseerdhët në shtëpi”, me këtë pankartë të shkruar në disa gjuhë, mes të cilave në arabisht dhe gjuhën katalanase, janë hasur emigrantët e “Aquarius” të cilët zbarkuan në portin e Valencias. Për t’i pritur 629 personat ishte një ekip prej më shumë se 2 mijë vetësh, mes të cilëse mijëra vullnetarë të kryqit të kuq dhe 470 përkthyes. Refugjatët janë nga 26 shtet, kryesisht afrikanë, por edhe nga Afganistani, Bangladeshi dhe Pakistani. Në këtë mënyrë, pas 9 ditësh në det të hapur, më në fund vuajtjet e 629 emigrantëve të shpëtuar në brigjet e Libisë kanë marrë fund.
“Rojet bregdetare na kanë shpëtuar. Qanim të gjithë pasi qëndronim prej 20 orësh në detë dhe ata na kanë qetësuar. Pyes veten përse Italia na ka refuzuar. Duhet të ketë ndonjë arsye. Çfarëdo që të ndodhë, ka gjithmonë një arsye. Por Zoti ka një plan më të mirë për ne. Italia në refuzoi por Zoti nuk do ta bëjë kurrë këtë”. Këto janë fjalët e një emigranti në bordin e anijes “Aquarius”, i cili foli për Mjekët pa Kufij.
“Aquarius arrin në Spanjë. Për herë të parë, një anije nga Libia, e destinuar për në Itali ankorohet në një vend tjetër: një shenjë se diçka po ndryshon, ne nuk jemi më oratorët e Evropës”. Kështu shkruan Ministri i Brendshëm Italian, Matteo Salvini në Facebook. “Po bëjmë diçka absolutisht normale, po mbrojmë kufijtë kombëtarë, siç u premtua në fushatën zgjedhore”, u shpreh ai. Ndërkohë, Salvini kërkoi më shumë përpjekje për ndalimin e udhëtimeve të emigrantëve ilegalë nga Libia për në Itali. /abcnews.al