Reshje të dendura shiu dhe breshëri shkaktuan kaos në Madrid, duke përmbytur rrugët dhe duke paralizuar përkohësisht sistemet e transportit. Ujërat që vërshuan morën përpara automjete dhe objekte të tjera, si dhe shkaktuan dëme në infrastrukturë.
Në Madrid dhe rrethina situata gradualisht po i rikthehet normalitetit, pasi më herët shira të dendura dhe breshëri mbuluan zonën, duke përmbytur rrugët dhe krijuar kaos në sistemet e transporteve. Moti i keq shkaktoi probleme të shumta, me vërshimet e ujërave që vunë përpara automjetet dhe konteinerët e mbeturinave përgjatë rrugëve të përmbytura. Gjithashtu, kokra breshëri të mëdha sa një top ping pongu të grumbulluara në disa vende bllokuan kalimet. Nga reshjet e dendura mbeti i dëmtuar kryesisht fshati Arganda del Rej, në jug-lindje të kryeqytetit spanjoll. Edhe fshatra të tjerë pësuan dëme, por për fat të mirë nuk pati viktima. Moti i keq shkaktoi vonesa në fluturime, përmbytje të tuneleve dhe parkingjeve, si dhe ndërprerje të shërbimit të metrosë. Agjencia meteorologjike spanjolle deklaroi se kishte regjistruar mbi 9 mijë rufe në 6 orë. I njëjti burim saktësoi se gjatë së martës shirat u spostuan në brigjet lindore iberike dhe në ishujt e Mesdheut, si Majorka. Këtu, autoritetet shpresojnë që reshjet të ndihmojnë në shuarjen e flakëve, që kanë përfshirë masivin pyjor të ishullit dhe pak ditë më parë çuan në evakuimin e 9 mijë personave. /ABC News Albania 24/7