Spanjë, lideri katalanas thirrje për një referendum të dytë

schedule20:52 - 17 Tetor, 2019

schedule 20:52 - 17 Tetor, 2019

Në një kohë kur protestat në Katalonjë kanë degraduar në dhunë, lideri katalanas Kim Torra ka bërë thirrje për mbajtjen e një referendumi të dytë për pavarësinë. në një fjalim të mbajtur në Parlament, Torra ka deklaruar se rivotimi për vetëvendosje mund të organizohet brenda dy vjetëve.

Presidenti i rajonit të Katalonjës ka deklaruar se do të punojë për mbajtjen e një referendum të ri për pavarësinë, në një kohë kur protestat kundër qeverisë së Madridit kanë hyrë në ditën e katërt. Presidenti Kim Torra ka thënë se referendum i dytë mund të organizohet brenda dy viteve.

Ai ka dënuar dhunën e verifikuar në protesta, gjatë të cilave manifestuesit janë përleshur me policinë. Duke folur në Parlamentin katalanas, Torra tha se dënimi për liderët pro-pavarësisë nuk do ta ndalojë mbajtjen e një votimi të dytë.

“Ne do të kthehemi në kutitë e votimit sërish për vetëvendosjen tonë. Nëse të gjitha partitë dhe grupet bien dakord, atëherë do të mund ta mbyllim këtë mandat legjislativ duke çertifikuar pavarësinë”, tha ai.

Mandati aktual i Parlamentit katalanas përfundon në dhjetor të vitit 2021. Gjykata Kushtetuese spanjolle ka paralajmëruar autoritetet katalanase me pasojat ligjore që do të përballen nëse shkelin ligjin duke insistuar për pavarësinë.

Në fjalimin e tij, presidenti Torra bëri gjithashtu thirrje për dhënien fund të dhunës:

“Ne nuk do të lejojmë më incidente si ato që po shohim në rrugë. Ato duhet të marrin fund menjëherë. Nuk ka asnjë justifikim për aktet vandale”, shtoi Torra./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!