Spanjë, gjyq kundër mafias ruse

schedule21:36 - 19 Shkurt, 2018

schedule 21:36 - 19 Shkurt, 2018

Një proces gjyqësor kundër një organizate të mafias ruse është mbajtur në Spanjë. Në bankën e të akuzuarve janë shfaqur 18 të pandehur, mes të cilëve një deputet i partisë së presidentit rus, Vladimir Putin.

Të paktën 18 të dyshuar si anëtarë të mafias ruse, mes të cilëve një deputet i Parlamentit rus, janë shfaqur këtë të hënë në një proces gjyqësor në Spanjë, i konsideruar ndër më të mëdhenjtë kundër krimit të organizuar.

Grupi akuzohet për pastrim të shumave të mëdha të parave në shtetin hiberik, si dhe për transferimin e pasurive përmes Spanjës drejt llogarive “offshore”.

Prokurorët kanë kërkuar dënime me 1 vit e gjysmë burg dhe gjoba deri në 100 milionë euro për shumicën e të pandehurve, mes të cilëve janë edhe 5 shtetas spanjollë, të akuzuar se kanë ndihmuar rusët në aferat e tyre. Mes të akuzuarve është edhe Vladislav Reznik, deputet dhe ish-kryetar i komisionit parlamentar të ekonomisë në Rusi.

Përpara togave të zeza, Reznik, anëtar i partisë putiniane, Rusia e Bashkuar, ka kërkuar pafajësi me pretendimin se ishte vetëdorëzuar në polici për të sqaruar rrethanat. Procesi daton që prej vitit 2008, kur policia spanjolle ekzekutoi operacionin e koduar “Trojka”, ku prangosi rreth 20 të dyshuar si anëtarë të mafias ruse. Krerët e organizatës, Gennady Petrov dhe Alexander Malyshev, janë në arrati dhe dyshohet se fshihen në Rusi, ku gëzojnë mbështetje politike.

Organizata Tambovskaja-Malishevskaja në Rusi konsiderohet aktive në një sërë aktivitetesh kriminale, si vrasje me pagesë, trafik armësh, droge, zhvatje dhe falsifikime. Në Spanjë, pastrimi i parave nga grupet kriminale ruse ka nisur në vitet ‘90, kur pasanikë rusë filluan të blinin vila luksoze në Kosta del Sol dhe ishujt Balearik./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!