Spanjë, ETA njofton zyrtarisht shpërbërjen

schedule20:46 - 2 Maj, 2018

schedule 20:46 - 2 Maj, 2018

Grupi separatist ETA ka njoftuar zyrtarisht shpërbërjen e strukturave të tij, duke i dhënë fund konfliktit me shtetin spanjoll për pavarësinë e rajonit bask, një përballje disadekadëshe që ka marrë jetët e 850 personave.

Grupi separatist bask ETA ka njoftuar shpërbërjen e strukturave të tij, duke i dhënë fund luftës 50-vjeçare. Njoftimi është bërë përmes një letre të hartuar nga lidershipi i grupit më 16 prill, por i publikuar të mërkurën nga gazeta spanjolle online “El Diario”.

Organizata pritet ta formalizojë shpërbërjen në një event zyrtar që do të mbahet më vonë gjatë javës, një lëvizje kjo që i jep fund konfliktit për pavarësinë e rajonit bask në veri të Spanjës, që në 5 dekada ka marrë 850 jetë njerëzish. “ETA ka shpërbërë tërësisht strukturat e saj dhe i ka dhënë fund iniciativës së saj politike”, thuhet në letrën e publikuar në “El Diario” e që u është dërguar organizatave të ndryshme baske.

ETA, akronim i Shtetit të Lirë Bask, shpalli armëpushim në vitin 2011 dhe 6 vjet më vonë uli armët, duke i dhënë fund asaj që konsiderohet si konflikti më i rëndëi i armatosur në Europën perëndimore.

Vendimet e fundit të organizatës, siç thuhet në letër, synojnë shkëputjen nga epoka e dekadave të fundit dhe ndërtimin e një të ardhmeje nga një këndvështrim i ri. Kapitulli final i tërheqjes së ETA-s, që u formua në vitin 1959 nga studentët që iu rebeluan diktaturës shtypëse të gjeneralit Fransisko Franko, është pritur sa me duartrokitje, aq edhe me mosbesim. Një zëdhënës i qeverisë spanjolle ka deklaruar se shteti do të vazhdojë t’i ndjekë anëtarët e organizatës të dyshuar për krime. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!