Spanja po merr masa drastike për të ulur taksat për shitjet e gazit natyror, në mënyrë që të reduktojë presionin e kostove të larta të energjisë për shumë familje, duke kompensuar kështu ndikimin e një tarife të re për gazin që do të fillojë të aplikohet në tetor.
Konkretisht, kryeministri i Spanjës , Pedro Sanchez, njoftoi sot të enjten se nga tetori TVSH-ja e gazit natyror do të bjerë në 5% nga 21% që është aktualisht, për të ulur ndikimin e rritjes së çmimit të gazit natyror.
“Për të ulur faturat e ngrohjes për qytetarët, qeveria kërkon të shpërndajë në mënyrë të drejtë kostot dhe tarifat e shkaktuara nga lufta në Ukrainë,” tha socialdemokrati Sanchez.
Qeveria spanjolle ka ulur dy herë TVSH-në për energjinë elektrike vitin e kaluar. Kostot e energjisë janë rritur që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, pasi Rusia është një furnizues kryesor i gazit natyror në Europë për ngrohje dhe gjenerim të energjisë, raporton abcnews.al.
Spanja u është zotuar partnerëve të saj të Bashkimit Europian për të reduktuar konsumin e gazit natyror me 7% në vitin 2022, por përdorimi i gazit është rritur deri në fund të verës në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Valët e të nxehtit gjatë verës kanë shkaktuar një rritje të kërkesës për energji elektrike për shkak të përdorimit të kondicionerëve, ndërsa në të njëjtën kohë prodhimi i energjisë hidroelektrike – një burim i rëndësishëm energjie për Spanjën është ulur për shkak të mungesës së ujit.
/abcnews.al