Spanja kërkon titullin dhe rekordin, “Furitë e Kuqe” favoritë në finalen e Euro 2024

schedule14:56 - 14 Korrik, 2024

schedule 14:56 - 14 Korrik, 2024

Titujt i kanë rreshtuar. Spanja është tri herë kampione e Evropës, madje me dy trofe të fituar së fundmi në 2008 e 2012, e ky padyshim është një faktor që peshon mjaft.

Për më tepër, skuadra e trajnerit Luis de la Fuente po shkëlqen në këtë Evropian, duke rreshtuar 6 fitore e duke mposhtur rivalë si Italia, Kroacia, Gjermania e Franca, edhe pse kundër “Pancerave”, të Nageslamann u lëkund jo pak, mirëpo e gjitha kjo bën që “Furitë e Kuqe” të jenë favoritë të qartë për fitoren e finales së sotme ndaj Anglisë.

Parashikimet janë të tilla, po ashtu perceptimi i tifozëve thuajse në të gjithë botën, padyshim me përjashtim të atyre anglezë, ku deri edhe nga Skocia, për Spanjën vjen një thirrje për të fituar.

E përditshmja “National” ka në kopertinë kërkesën që Spanja ta mundë Anglinë për t’i bërë nder skocezëve, se kush i duron pastaj tifozët anglezë. Gjithsesi trajneri De la Fuente dhe lojtarët e tij nuk kanë ndonjë nënvleftësim për “Tre Luanët”.

“Ne e dimë që Anglia ka një potencial futbollistik fantastik. Me individë të shkëlqyer dhe me lojë skuadre. Të gjithë këtë mund ta kemi përballë në këtë finale. Ne duhet të përgatitemi për Anglinë më të mirë. Ne do të përpiqemi të bëjmë lojën tonë, të luftojmë me armët tona, dhe të bëjmë sa më pak gabime. Nëse ia dalim të luajmë kështu, mund të jemi më pranë fitores. Gjithsesi, në futboll dihet se mund të fitosh ndonjëherë edhe kur luan shumë keq”,- u shpreh tekniku spanjoll gjatë konferencës së fundit për shtyp.

Te Spanja nuk pritet të ketë ndryshime në formacion dhe De la Fuente do të luajë me të njëjtët lojtarë që e sollën deri këtu. Në ekip kthehen mbrojtësit e pezulluar Carvajal e Le Normand, dhe mungesa janë vetëm Pedri e Ayoze Perez të dëmtuar.

Të tillë si Dani Olmo, Morata, Lamine Yamal e Nico Williams janë të sigurtë në formacion, edhe pse kapiteni pati një dëmtim të çuditshëm në gjysmëfinalen ndaj Francës. “Furitë e kuqe” do të synojnë titullin e katërt, për të lënë pas Gjermaninë si rekordmenë të vetëm të kontinentit. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!